Aktorja e mirënjohur Angelina Jolie zbuloi një transformim drastik të flokëve për filmin e saj të ri “Anxious People”, duke u shfaqur bionde me model të prerë shkurt dhe të drejta. Aktorja u fotografua në sheshxhirim në Londër të enjten me flokët e saj të shkurtër që i binin tek fytyra, me një veshje elegante ngjyrë krem. Ajo kishte vënë buzëkuq të kuq të ndezur dhe manikyr të kuq për të kompletuar pamjen e saj tërheqëse. Jolie, u fotografua në sheshxhirim së bashku me djalin e saj të madh, 24-vjeçarin Maddox.

Jolie luan rolin e një bankierie investimesh me emrin Zara në filmin “Anxious People”, i cili është një adaptim i romanit suedez të vitit 2019 nga Fredrik Backman me të njëjtin emër. Në film luajnë gjithashtu Aimee Lou Wood dhe Jason Segel. Filmi ndjek një grup të huajsh që merren peng nga një grabitës bankash.

Ndërsa Angelina Jolie është në Londër për punë, është e mundur që ajo të qëndrojë përgjithmonë atje. Burime i thanë Page Six në gusht se Jolie po përgatitet të shesë shtëpinë e saj në Los Angeles, të cilën e bleu për 24.5 milionë dollarë në vitin 2017. Më vonë, People raportoi se aktorja planifikon të largohet nga vendi sapo binjakët e saj, Knox dhe Vivienne, të mbushin 18 vjeç vitin e ardhshëm, burimi tha se:

Ajo po shqyrton disa alternativa jashtë vendit. Do të jetë shumë e lumtur kur të jetë në gjendje të largohet nga Los Angeles.