Aktorja e njohur, Angelina Jolie ka dhënë një koment mbi gjendjen aktuale të lirisë së shprehjes në SHBA, vend të cilin aktorja e do shumë por që në këtë moment nuk e njeh më.

Gjatë një konference për media në Festivalin e Filmit në San Sebastian, gazetarja Maria Guerra iu drejtua Jolie duke theksuar se “SHBA po kalon nëpër një periudhë shqetësuese sa i përket lirisë së shprehjes”. Ajo më pas e pyeti fituesen e çmimit Oscar: “Si artiste dhe si amerikane, nga se keni frikë sot në raport me SHBA-në?”

Pyetja erdhi pas pezullimit të prezantuesit Jimmy Kimmel nga televizioni ABC, pas komenteve të tij lidhur me atentatin ndaj Charlie Kirk, çka solli kërcënime me sanksione nga kreu i Komisionit Federal të Komunikimeve, Brendan Carr.

Jolie, e cila në festival po promovon filmin e saj të ri Couture, u ndal për një moment para se të përgjigjej në atë që e quajti “një pyetje vërtet shumë të vështirë”. Ajo theksoi: “E dua vendin tim… por, në këtë moment, nuk e njoh”.

Më tej, aktorja shtoi se gjithmonë ka pasur një këndvështrim të gjerë dhe ndërkombëtar për botën. “Gjithmonë kam jetuar ndërkombëtarisht, gjithmonë. Familja ime është ndërkombëtare, miqtë e mi, jeta ime, këndvështrimi im për botën është i hapur, i unifikuar, ndërkombëtar. Prandaj, mendoj se çdo gjë, kudo, që ndan apo kufizon shprehjen personale dhe liritë e individit, është shumë e rrezikshme”.

Ajo theksoi gjithashtu se klima aktuale shoqërore kërkon kujdes në të shprehur dhe vetëdije për pasojat e fjalëve të thëna.

“Mendoj se po jetojmë në kohë shumë serioze dhe duhet të kemi kujdes të mos flasim lehtësisht. Prandaj edhe unë do të jem e kujdesshme gjatë kësaj konference, por do të them atë që ju të gjithë e dini. Këto janë kohë shumë, shumë të vështira, në të cilat po jetojmë të gjithë së bashku”.