Një bllok shënimesh me tekste këngësh të shkruara me dorë nga Freddie Mercury është shitur për 277 mijë paund në një ankand në Londër.

Dorëshkrimet e vokalistit të Queen ishin artikulli më i shtrenjtë i shitur gjatë ditës së parë të ankandit “Music Live”, të organizuar nga Propstore. Tekstet datojnë nga periudha e regjistrimeve për albumin e parë solo të Mercury-t, “Mr. Bad Guy”, të publikuar në vitin 1985.

Fletorja ishte pjesë e koleksionit të Reinhold Mack, një arkiv me tekste këngësh të shkruara me dorë, materiale nga regjistrimet dhe dhurata personale që dokumentojnë miqësinë dhe bashkëpunimin e producentit gjerman me Freddie Mercury.

Mack, producent dhe inxhinier muzikor i njohur për punën në studiot Musicland në Mynih, ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj të muzikës, mes tyre Rolling Stones, Led Zeppelin, Deep Purple, Electric Light Orchestra dhe Black Sabbath. Megjithatë, ai njihet veçanërisht për bashkëpunimin e tij të gjatë me Queen.

Mack dhe Mercury kishin krijuar një miqësi të ngushtë, ndërsa këngëtari i Queen u bë edhe kumbari i djalit të producentit, John Frederick Mack.

Propstore ka nxjerrë në ankand për herë të parë arkivin e Mack, i cili përfshin më shumë se 80 objekte memorabilie.

Në të njëjtin ankand, kitara akustike Takamine FP460SC e Noel Gallagher, e luajtur gjatë performancës së Oasis në “MTV Unplugged” në vitin 1996, u shit për 226,800 paund, duke vendosur rekord botëror për një kitarë akustike të grupit.

Po për 226,800 paund u shit edhe një xhaketë bardh e zi dhe ari, në stil ushtarak, e veshur nga Michael Jackson gjatë disa prej paraqitjeve të tij publike në periudhat e albumeve “Dangerous” dhe “HIStory”.

Ndërkohë, pianoja e madhe Yamaha C3, në të cilën kanë luajtur Freddie Mercury, Queen, Rolling Stones, Elton John dhe artistë të tjerë, u shit për 81,900 paund.