Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Anthony Joshua, ka kaluar një nga momentet më të frikshme të jetës së tij, pasi i ka shpëtuar për mrekulli një aksidenti automobilistik fatal në Nigeri, ku dy miq të tij humbën jetën.

Ngjarja e rëndë ndodhi në autostradën Lagos–Ibadan, në verilindje të Lagos-it, kur automjeti tip Lexus Jeep, me të cilin po udhëtonte Joshua, u përplas fuqishëm me një kamion të ndalur në anë të rrugës.

Sipas autoriteteve nigeriane, mjeti po lëvizte me shpejtësi të lartë gjatë një manovre parakalimi, moment në të cilin ndodhi përplasja tragjike.

Federal Road Safety Corps konfirmoi se në automjet ndodheshin pesë persona. Dy prej tyre humbën jetën në vend, ndërsa Anthony Joshua u nxor i gjallë nga rrënojat e makinës, duke pësuar vetëm lëndime të lehta. Dy pasagjerët e tjerë shpëtuan pa dëmtime serioze.

Policia mbërriti në vendngjarje vetëm tre minuta pas njoftimit, ndërsa ngjarja ka tronditur familjen dhe rrethin e afërt të boksierit. Një i afërm i Joshua-s, në një deklaratë për BBC, e përshkroi lajmin si një “tronditje të madhe”, duke shprehur shqetësimin për gjendjen shëndetësore të sportistit.

Jemi mirënjohës që Anthony është gjallë. Lutemi për shërimin e tij të shpejtë dhe për shpirtin e atyre që humbën jetën

-u shpreh ai.

Aksidenti vjen vetëm pak ditë pas rikthimit të bujshëm të Anthony Joshua-s në ring, ku më 19 dhjetor ai arriti një fitore të rëndësishme ndaj Jake Paul, duke rikthyer vëmendjen e botës së boksit mbi veten e tij.

Ndërsa fansat presin reagimin e parë publik të ish-kampionit, kjo ngjarje tragjike shërben si një kujtesë e fortë se, përtej lavdisë sportive, jeta mund të ndryshojë në një çast.