Giorgio Armani, po përgatitet të zbatojë testamentin e themeluesit të saj, Giorgio Armani, i cili u nda nga jeta shtatorin e kaluar.
Administratori i deleguar Giuseppe Marsocci po harton një plan industrial vazhdimësie për pesë vitet e ardhshme, që do t’u dorëzohet bankave të investimeve të ngarkuara me përzgjedhjen e blerësve të ardhshëm të një pakete minoritare të grupit, duke filluar nga 9 shtatori.
Plani mbështetet mbi një kompani “demokratike”, siç e kishte konceptuar Armani, me linja që shtrihen nga EA7, te Emporio Armani, dhe moda e lartë e Armani Privé, të afta t’i drejtohen një publiku shumë të gjerë.
Testamenti parashikon që brenda 12 deri në 18 muajve nga leximi i tij, të shitet 15% e kapitalit. Shitja do të bëhet me përparësi ndaj LVMH, EssilorLuxottica dhe L’Oréal, ose ndaj kompanive të tjera të luksit me prestigj të ngjashëm, që do të përzgjidhen me miratimin e Leo Dell’Orco, partnerit historik të stilistit dhe trashëgimtar i 40% të pasurisë së tij.
Procesi ende nuk ka nisur zyrtarisht, pasi duhet të përzgjidhen të paktën dy këshilltarë financiarë, ndërsa emri i Rothschild & Co, përmendet si një nga favoritët. Brenda kompanisë po diskutohet edhe ideja që shitja të ndahet në tre paketa nga 5% secila, duke mbajtur të angazhuar të tre blerësit potencialë në fazën e parë të tranzicionit.
EssilorLuxottica dhe L’Oréal, kanë shprehur tashmë interes konkret, për shkak të bashkëpunimeve afatgjata me Armanin në syze, parfume dhe kozmetikë.
Ndërkohë edhe LVMH, raportohet se e konsideron markën Armani një aset shumë të vlefshëm në industrinë globale të luksit.
Sipas testamentit, pas periudhës 2028–2030 kompania mund të zgjedhë ose daljen në bursë, ose shitjen e një pjese më të madhe të kapitalit, nga 30% deri në 54.9%, te i njëjti investitor që do të blejë paketën fillestare.
Megjithatë, fondacioni i familjes Armani do të mbajë gjithmonë 30.1% të aksioneve, duke ruajtur ndikimin mbi drejtimin strategjik të kompanisë.
Tre grupet e interesuara kanë profile shumë të ndryshme. EssilorLuxottica, ka një lidhje historike me Armanin që prej vitit 1988 dhe shihet si partner financiar më shumë sesa strategjik.
L’Oréal, nga ana tjetër, ka eksperiencë të fortë në kozmetikë dhe parfume, por nuk ka marrë kurrë kontroll mbi një kompani mode dhe aksesorësh.
