Aktori turk Can Yaman është arrestuar në Turqi në kuadër të një hetimi për trafikimin dhe konsumimin e lëndëve narkotike mes personazheve të njohur, gazetarëve dhe VIP-ave të Stambollit. Yaman, shumë i famshëm për rolet e tij si protagonist në disa seriale televizive të suksesshme, është arrestuar së bashku me edhe 6 persona të tjerë, mes të cilëve edhe aktorja Selen Gorguzel.
Shtatë të arrestuarit po i nënshtrohen një sërë testesh në Institutin e Mjekësisë Ligjore, me qëllim verifikimin nëse, kur dhe çfarë lloj droge kanë konsumuar. Ndërkohë, policia gjatë natës së kaluar ka kryer bastisje në 9 klube nate të ndryshme në metropolin buzë Bosforit, duke arrestuar disa shpërndarës droge dhe menaxherët e lokaleve ku dyshohet se shiteshin substanca narkotike.
Në javët e fundit, në kuadër të të njëjtit hetim, më shumë se 20 personazhe të botës së spektaklit, VIP-a dhe gazetarë kishin rënë në rrjetën e policisë. Yaman është dërguar së bashku me të arrestuarit e tjerë, përfshirë edhe menaxherë lokalesh, në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Stambollit për të verifikuar përdorimin e mundshëm të drogës. Operacioni po drejtohet nga Zyra Hetimore për Kontrabandën, Trafikun e Narkotikëve dhe Krimet Ekonomike e Prokurorisë së Përgjithshme të Stambollit.
