Këngëtari dhe producenti i njohur botërisht, Akon, është arrestuar për pak orë në shtetin e Xhorxhias (Georgia), SHBA, për shkak të një urdhër-arresti aktiv që ishte lëshuar ndaj tij disa muaj më parë.
Sipas raportimeve të TMZ, artisti 52-vjeçar, me emrin e vërtetë Aliaune Thiam, u ndalua nga policia e qytetit Chamblee mëngjesin e 7 nëntorit, për një urdhër-arrest të lëshuar nga Roswell.

Të dhënat nga burgu i qarkut DeKalb tregojnë se Akon u regjistrua në sistem dhe u mbajt për disa orë, përpara se të lirohej më vonë po atë ditë.
Media amerikane publikoi gjithashtu fotografinë e arrestimit, ku artisti shfaqet me një pamje të qetë dhe bluzë të zezë me kapuç, ndërsa pozon përpara kamerës së policisë.
Sipas dokumenteve të siguruara nga The Independent, urdhër-arresti ishte lëshuar dy muaj më parë, pasi policia kishte zbuluar se Akon po drejtonte makinën me patentë të pezulluar.
Incidenti që çoi në ndalimin e tij lidhet me një ngjarje të ndodhur në shtator, kur policia e Roswell-it e gjeti artistin të mbetur në anë të rrugës me Tesla Cybertruck-un e tij, pasi makina kishte mbetur pa bateri.
Gjatë ndërveprimit, oficerët zbuluan se ai kishte mosparaqitje në gjykatë në janar të vitit 2023 dhe patentën e pezulluar.
Policia gjithashtu i konfiskoi një pajisje “vape” të paligjshme që këngëtari mbante me vete në atë moment. Si pasojë, u lëshua urdhër-arresti që çoi në ndalimin dhe lirimin e tij të përkohshëm këtë javë.
