Një nga trafikantët më të njohur të drogës në Amerikën Latine, Sebastian Marset, është arrestuar të premten në Bolivi pas një operacioni të madh policor. Marset, i cili për vite me radhë kishte shmangur arrestimin dhe ndodhej në listën e më të kërkuarve nga Shtetet e Bashkuara, u kap në qytetin lindor Santa Cruz gjatë një operacioni ku u angazhuan qindra policë.
Sipas burimeve të Ministrisë së Brendshme boliviane, ai u dërgua në aeroportin ndërkombëtar të qytetit, ku më pas hipi në një avion me regjistrim amerikan. Në operacion u arrestuan edhe katër persona të tjerë. Marset konsiderohet një nga bosët më të fuqishëm të drogës në jug të Amerikës së Jugut dhe ndaj tij ishte vendosur një shpërblim prej 2 milionë dollarësh nga autoritetet amerikane, për akuzat që lidhen me pastrim parash dhe trafik droge.
Ai kërkohej gjithashtu nga Paraguai dhe Bolivia. Rrjeti i tij është lidhur me sekuestrimin e më shumë se 16 tonëve kokainë, përfshirë një kapje të madhe në portin e Antwerp-it në vitin 2021.
Marset kishte përdorur edhe futbollin për të pastruar paratë, duke blerë dhe sponsorizuar klube të niveleve më të ulëta në Amerikën Latine dhe Evropë, madje duke luajtur vetë në formacion. Ai kishte paguar 10 mijë dollarë në para për të veshur fanellën me numrin 10, numër i lidhur me legjenda të futbollit si Pelé, Maradona dhe Messi.




