Një ish-pilot është akuzuar se ka transportuar mijëra pasagjerë në fluturime pa një licencë të vlefshme gjatë 17 viteve të fundit. Geoffrey Wall, 59 vjeç, nga Ontario, ish-pilot i Air Canada, dyshohet se ka falsifikuar dokumentet e kualifikimit që nga viti 2009, pasi u promovua në detyrën e kapitenit, thanë autoritetet. Air Canada deklaroi se piloti u pezullua menjëherë nga detyra sapo dolën në dritë akuzat vitin e kaluar.

Në një deklaratë, kompania ajrore tha: “Kompania e raportoi vullnetarisht çështjen pranë Transport Canada.” Kompania këmbëngul se siguria e pasagjerëve nuk është vënë asnjëherë në rrezik, pasi të gjithë pilotët i nënshtrohen trajnimeve dhe vlerësimeve të aftësive çdo gjashtë muaj.

Zëvendësshefi i Policisë Rajonale të Peel, Nick Milinovich, tha se Wall kishte fluturuar me Air Canada për 27 vjet, duke filluar nga viti 1998. Piloti dyshohet se kishte paraqitur në mënyrë të rreme kualifikimet e tij që nga viti 2009, pas promovimit në postin e komandantit të avionit (pilot-in-command), një detyrë për të cilën kërkohet licenca e pilotit të transportit ajror (ATPL).

Zëvendësshefi i policisë, Nick Milinovich, tha: “Kjo është shumë e ngjashme me një mjek që është i licencuar për mjekësi familjare, por që kryen operacione në tru në zyrën e tij.” Mësohet se Wall ka pilotuar disa lloje avionësh Boeing dhe ka kryer rreth 900 fluturime brenda dhe jashtë vendit, duke fituar miliona dollarë pa pasur kualifikimin e nevojshëm.

Akuzat dolën në dritë vitin e kaluar, kur gjatë kontrolleve rutinë u konstatuan mospërputhje në licencën e kapitenit, çka nxiti një hetim nga Transport Canada, agjencia federale kanadeze e transportit. Kompania ajrore vuri në dukje se Wall ishte një pilot profesionist i certifikuar dhe kishte demonstruar rregullisht se ishte i aftë të pilotonte në mënyrë të sigurt avionë të mëdhenj.

“Siguria nuk u komprometua nga ky incident, pasi të gjithë pilotët e Air Canada i nënshtrohen trajnimit të detyrueshëm rifreskues çdo gjashtë muaj për të vërtetuar aftësinë e tyre të fluturimit, i cili përfshin një kontroll fluturimi me një pilot kontrolli të certifikuar nga Transport Canada çdo 12 muaj”, tha Air Canada në një deklaratë të lëshuar të hënën.

“Megjithatë, licencimi i duhur është një element kyç i qasjes shumështresore të industrisë së aviacionit ndaj sigurisë, prandaj Air Canada e merr këtë çështje me seriozitetin më të madh”, vazhdoi linja ajrore. Wall u gjobit nga rregullatori i transportit të Kanadasë dhe përballet me shtatë akuza penale. Ai pritet të paraqitet në gjykatë më 29 qershor 2026.