Robbie Williams ka zbuluar se vuan nga sindroma Tourette, duke pranuar se është një gjendje që ndikon në jetën e tij të përditshme, teksa thekson se “gjithmonë kërkon trajtim”. Këngëtari zbuloi më shumë detaje në episodin e parë të sezonit të ri të podkastit “I’m ADHD! No You’re Not” me Paul Whitehouse dhe Dr. Mine Conkbayr, duke përshkruar përvojën e tij publikisht për herë të parë.
“Sapo e kuptova se kam sindromën Tourette (tiket), por nuk manifestohet. Janë mendime ndërhyrëse që ndodhin. Pardje po ecja në rrugë dhe kuptova se këto mendime janë sindroma Tourette”, tha ai.
Ai shtoi se edhe dashuria e publikut nuk mund të veprojë si kundërpeshë: “Do të mendonit se një stadium plot me njerëz që ju tregojnë dashurinë e tyre do të ndihmonte, por çfarëdo që është brenda meje nuk e dëgjon atë. Nuk mund ta pranoj.”
Williams zbuloi gjithashtu se kohët e fundit bëri një test për autizëm, i cili rezultoi negativ, por ai tregoi “tipare të tilla” dhe më konkretisht ankth kur largohej nga “hapësira e tij e sigurt”, shtrati i tij.
Këngëtari pranoi se ende ka frikë nga turnetë, duke thënë: Kam një marrëdhënie shumë të ndërlikuar me turnetë dhe performancat live. Kur më thonë: ‘Do të shkosh në turne, do të jesh i emocionuar’, përgjigjja është jo, jam i tmerruar. I fsheha ndjenjat e mia shumë mirë. Dukem i sigurt, dukem mendjemadh, bëj lëvizje të mëdha. Kjo funksionoi për mua, sepse fytyra ime u shfaq në postera dhe njerëzit ende blejnë bileta. Por në realitet, ndiej krejt të kundërtën.”
Siç tha ai, një mbështetje e rëndësishme është gruaja e tij, Aida, e cila e inkurajon para turneve duke i thënë: “Mund të mos luash më kurrë në stadium. Sa me fat je që ke këtë mundësi .”