Legjenda e rokut Jon Bon Jovi ka deklaruar se është “shëruar plotësisht” pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në kordat vokale, duke konfirmuar rikthimin e tij në skenë pas katër vitesh mungesë, në prag të nisjes së turneut të ri “Forever”.

Turneu pritet të nisë më 7 korrik në Madison Square Garden në Nju Jork dhe do të shoqërohet me një seri koncertesh ndërkombëtare, përfshirë ndalesa në Angli dhe Irlandë.

Në një intervistë ekskluzive për revistën “PEOPLE”, 64-vjeçari ka treguar se periudha pas operacionit në vitin 2022 ka qenë sfiduese, por vendimtare për rikuperimin e tij profesional dhe personal.

“Jam shëruar plotësisht. Ka zgjatur më shumë nga sa prisja, por duhej të bëhej siç duhet. Nuk e humbëm kurrë besimin,” është shprehur Bon Jovi.

Ai ka rrëfyer se ndërhyrja u bë pasi një nga kordat vokale kishte filluar të atrofizohej, gjë që vuri në pikëpyetje të ardhmen e tij në muzikë live. Pas viteve trajnim dhe punë me trajnerë vokalë, këngëtari thotë se sot ndjehet më i fortë se kurrë.

“Nuk ka të bëjë me përsosmërinë. Ka të bëjë me përjetimin dhe lidhjen me publikun,” u shpreh ai, duke theksuar rëndësinë e muzikës live dhe energjisë së skenës.

Bon Jovi tha se kjo periudhë e vështirë i ka ndryshuar edhe mënyrën e të jetuarit, duke e bërë më të përqendruar te momenti dhe gjërat e thjeshta të jetës së përditshme.

“Ky është një rilindje për mua. Ka të bëjë me gëzimin,” theksoi ai, duke e lidhur rikthimin në skenë me një kapitull të ri në jetën e tij artistike.

Turneu “Forever” shënon rikthimin e plotë të grupit në skenë pas një pauze disa vjeçare dhe pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të verës.