Xania Monet është artistja e parë virtuale që po i sfidon realisht njerëzit në skenën e muzikës. Më 1 nëntor, këngëtarja e krijuar nga inteligjenca artificiale u rendit në vendin e 30-të në Adult R&B Airplay Chart, duke siguruar edhe një kontratë diskografike prej 3 milionë dollarësh dhe duke hapur sërish debatin rreth rritjes së ndikimit të AI në industri.

Xania Monet “lindi” nga imagjinata e poetes dhe këngëtares Telisha “Nikki” Jones nga Misisipi, e cila i jep jetë teksteve të saj përmes ritmeve të R&B falë platformës Suno, një ndër mjetet më të njohura për krijimin e muzikës me AI. Jones e përshkruan Xanian si një zgjatim të vetes, duke theksuar se përmes saj arrin të shpërndajë poezitë dhe historitë e saj të frymëzuara nga jeta.

“Ne përdorëm inteligjencën artificiale si mjet, për të cilin u krijua. E përdorëm për të përmirësuar artin tonë”,-ka thënë menaxheri i Xanias, Romel Murphy, për CNN. “Ne krijuam muzikë të vërtetë R&B, të mbështetur në ndjenjë dhe përvojat reale të jetës së Nikki-t. AI vetëm na ndihmoi ta çonim mesazhin në botë. Por arti dhe gjithçka që fshihet pas tij është plotësisht njerëzore”.

Kënga “How Was I Supposed to Know” fillimisht u bë virale në TikTok, përpara se të kalonte në platforma të tjera e më pas të futej në listat e Billboard. Ky është vetëm suksesi më i fundit i Xanias, e cila në katër muajt e parë të karrierës së saj ka publikuar plot 44 këngë në Spotify, ka mbledhur rreth 1.2 milion ndjekës në platformë dhe pothuajse 800 mijë të tjerë në rrjete të ndryshme sociale.

Rritja e shpejtë e popullaritetit të avatarit digjital ka tërhequr vëmendjen e kompanisë diskografike Hallwood Media, e cila ka nënshkruar kontratë si me modelin e AI-së, ashtu edhe me artisten njerëzore që qëndron pas tij me vlerë 3 milionë dollarë. “Po e kombinoj atë që dua të bëj më së shumti me teknologjinë,” ka deklaruar Tellisha Jones. “AI është epoka e re në të cilën po hyjmë. Unë e shoh si mjet, si instrument dhe po e përdor thjesht kështu”.

Jones, e cila pranon se vetë nuk është këngëtare dhe se mbështetet te Suno për të transformuar poezitë e saj në këngë, nuk shqetësohet nga kritikat. Ajo thekson se po përdor AI vetëm si vegël krijuese dhe se artistja e vërtetë mbetet ajo vetë.