Avokatja e Neda Karafilit, Greta Çela, ka reaguar publikisht lidhur me situatën e krijuar pas divorcit të saj nga Ogren Balluku, duke ngritur akuza për shkelje ligjore dhe moszbatim të vendimit gjyqësor që rregullon takimet e nënës me fëmijët.
Përmes një letre të dërguar në emisionin “Goca & Gra”, avokatja ka bërë të ditur se Karafili vijon të përballet me vështirësi për të takuar tre djemtë e saj, pavarësisht ekzistencës së një vendimi gjykate që, sipas saj, duhet të zbatohet menjëherë.
Çela e ka cilësuar situatën si të papranueshme, duke pretenduar se në këtë proces janë shkelur të drejtat e nënës dhe se fëmijët po përballen me pasojat e konfliktit mes prindërve.
Sipas avokates, një nga problemet kryesore është moszbatimi i titullit ekzekutiv që përcakton të drejtën e takimit me fëmijët. Ajo pretendon se vendimi i gjykatës po shpërfillet dhe se vullneti individual po vendoset mbi detyrimet ligjore.
Në reagimin e saj, përfaqësuesja ligjore e Karafilit ka ngritur gjithashtu akuza ndaj Shërbimit Përmbarimor, duke pretenduar se mosveprimi dhe anshmëria e këtij institucioni kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës.
Avokatja ka deklaruar se problematika ka vijuar edhe pasi drejtuesi i zyrës së përmbarimit kishte vendosur përjashtimin e përmbarueses nga çështja. Sipas saj, kjo e fundit nuk e ka respektuar vendimin dhe ka vijuar të merret me dosjen.
Për këto veprime, Çela bën të ditur se është depozituar një kallëzim penal për veprën e dyshuar të “Shpërdorimit të detyrës”, ndërsa, sipas saj, Ministria e Drejtësisë ka nisur edhe një procedim disiplinor.
Përfaqësuesja ligjore ka theksuar se në qendër të gjithë procesit duhet të mbetet mirëqenia dhe interesi më i lartë i fëmijëve. Ajo ka kërkuar që institucionet të veprojnë me profesionalizëm dhe mbi bazën e provave të besueshme, në mënyrë që të miturit të mos përfshihen në konfliktet mes të rriturve.
Ndërkohë, edhe vetë Neda Karafili ka reaguar përmes një mesazhi të dërguar moderatores Ori Nebiaj, i cili u lexua gjatë transmetimit të emisionit.
Në mesazhin e saj, Karafili ka shprehur dhimbjen për situatën që po përjeton dhe ka falënderuar publikisht personat që i kanë ofruar mbështetje.
“Ju falënderoj për fjalët, as armikut tim më të madh nuk ia uroj hallin që më ka rënë. Kam nevojë për çdo ndihmë që mund të më jepet. Zoti më ka falur tre drita sysh nga të cilët nuk mund të më ndajë njeri në këtë tokë. Ju përqafoj të katërtave”, thuhet në mesazhin e saj.
