Papa Leo XIV ka zbuluar listën e katër filmave që e kanë shoqëruar ndër vite, duke ofruar një pasqyrë të rrallë të shijeve të tij artistike dhe ndjeshmërisë shpirtërore që ai gjen në kinematografi.
Përzgjedhja e Atit të Shenjtë përfshin disa prej filmave më të dashur në historinë e kinemasë botërore, të cilët, sipas tij, mbartin mesazhe të thella për besimin, dashurinë, shpresën dhe forcën e shpirtit njerëzor.
Në krye të listës qëndron klasiku italian “La Vita è Bella” (Jeta është e bukur) i Roberto Benigni-t, një film që ndërthur me mjeshtëri humorin dhe tragjedinë, duke treguar historinë prekëse të një babai që përpiqet të mbrojë djalin e tij nga tmerret e luftës.
Një zgjedhje e natyrshme për një Papë me rrënjë të forta kulturore evropiane dhe ndjeshmëri të thellë humane.
Në listë janë përfshirë gjithashtu tre filma të tjerë legjendarë të Hollivudit:
-“It’s a Wonderful Life” (1946): një film i pavdekshëm që nderon vlerën e jetës, mirënjohjen dhe shpresën.
-“The Sound of Music” (1965): historia e dashurisë dhe guximit në sfondin e Luftës së Dytë Botërore.
-“Ordinary People” (1980): drama e ndjeshme e Robert Redford që trajton dhimbjen, humbjen dhe forcën e faljes.
Kjo përzgjedhje e veçantë do të jetë në qendër të një aktiviteti të planifikuar më 15 nëntor, ora 11:00, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku Papa Leo XIV do të presë përfaqësues nga bota e kinemasë ndërkombëtare.
Ky takim pritet të shërbejë si një moment reflektimi mbi fuqinë e filmit për të prekur shpirtin njerëzor, për të frymëzuar shpresë dhe për të përcjellë mesazhe të universalitetit dhe dashurisë.
