Tenori legjendar italian Andrea Bocelli ka reaguar ndaj komenteve të aktorit Timothée Chalamet lidhur me operën dhe baletin, duke shprehur shpresën që një ditë ai të ndryshojë mendim për këto forma arti.
Në një intervistë për People Magazine, Bocelli u shpreh se u surprizua kur dëgjoi deklaratën e aktorit gjatë një aktiviteti në shkurt, ku Chalamet i përshkroi operën dhe baletin si forma arti për të cilat “askush nuk interesohet”.
Sipas tenorit italian, shpesh njerëzit priren të mbajnë distancë nga gjërat që nuk i kanë përjetuar ende.
Besoj se shpesh qëndrojmë larg nga ajo që nuk e kemi njohur vërtet. Opera dhe baleti janë forma arti që kanë kaluar shekuj dhe vazhdojnë të flasin me zemrën e njeriut, sepse i përgjigjen nevojës së thellë për bukuri, të vërtetë dhe emocion -u shpreh Andrea Bocelli.
Ai shtoi se këto arte nuk i përkasin vetëm së kaluarës, por mbeten gjuhë të gjalla që vazhdojnë të prekin njerëzit dhe të bashkojnë breza të ndryshëm.
Artisti, i cili konsiderohet një nga figurat që ka ndihmuar në popullarizimin e muzikës klasike në mbarë botën, tha se shpreson që Timothée Chalamet një ditë ta shohë operën dhe baletin nga një këndvështrim tjetër.
Jam i bindur që një artist i ndjeshëm si Timothée, i cili e kupton fuqinë e emocioneve, mund të zbulojë një ditë se opera dhe vallëzimi burojnë nga i njëjti burim emocionesh -tha ai.
Madje, Andrea Bocelli i bëri edhe një ftesë publike aktorit të njohur.
Nëse ndonjëherë do të jetë kurioz, do të isha shumë i lumtur ta mirëprisja si mysafir në një nga koncertet e mia. Ndonjëherë mjaftojnë vetëm disa minuta për të dëgjuar këtë muzikë live për të kuptuar pse, edhe pas shekujsh, ajo vazhdon të dashurohet në të gjithë botën -u shpreh tenori.
Komentet e Andrea Bocelli vijnë mes kritikave që Timothée Chalamet ka marrë në rrjetet sociale dhe në botën e artit pas deklaratës së tij për operën dhe baletin.
