Aktori i famshëm i Hollywood-it, George Clooney, ka zbuluar arsyen se pse ai dhe bashkëshortja e tij, Amal, kanë lënë pas jetën glamuroze të Los Angeles për të jetuar në një fermë të qetë në Francë.
64-vjeçari dhe avokatja e të drejtave të njeriut janë prindër të binjakëve 8-vjeçarë, Alexander dhe Ella. Ata dëshironin që t’i rrisnin fëmijët larg presionit të famës dhe ndikimit të kulturës së Hollywood-it.
Në një intervistë për revistën “Esquire”, Clooney tregoi se ishte i shqetësuar për mënyrën sesi fama ndikon te fëmijët, sidomos në një mjedis ku ata krahasohen vazhdimisht me të tjerët.
“Kultura franceze i jep prioritet jetës reale. Atje, askush nuk të ndjek sepse je i famshëm. Fëmijët mund të rriten normalisht”, u shpreh ylli i kinematografisë.
Aktori i famshëm theksoi gjithashtu se përpiqet t’i mbajë larg rrjeteve sociale dhe botës së internetit, duke i mbrojtur nga ndikimet toksike dhe ekspozimi i panevojshëm.
Pavarësisht pasurisë së madhe, që vlerësohet mbi 550 milionë dollarë, George dhe 47-vjeçarja ndjekin një stil jetese modest. Aktori zbuloi se çdo mëngjes i çon vetë fëmijët në shkollë dhe nuk i përfshin në jetën e sheshit të xhirimeve.
“Jam i privilegjuar, por normaliteti për fëmijët është më i rëndësishëm se çdo gjë”, përfundoi ai.