
Dy këngëtarët e njohur, Aurela Gaçe dhe Stine, kanë sjellë së fundmi një bashkëpunim të ri muzikor ku pjesë e të cilit është edhe Dr. Flori, megjithëse jo fizikisht, por me zërin e tij të regjistruar para se të ndërronte jetë.
Dy artistët ishin mëngjesin e sotëm në emisionin “Wake Up” në Top Channel ku kanë treguar më shumë si erdhi “S.F.L” që është shkurtim i emrave Stine, Flori dhe Lela.
Këngëtarja rrëfeu se kjo ka qenë një rastësi mjaft e bukur pasi ka qenë duke kontrolluar disa foldera në një kompjuter që ishte prishur prej muajsh ku dhe gjeti të regjistruar zërin e Florit.
“Jam mpirë totalisht kur e kam dëgjuar. Nuk e besoja. E dëgjova prapë. Thashë me patjetër që do të bëjmë diçka”, tha ajo, duke shtuar se kanë marrë lejen e familjarëve të Florit.
“Jemi treguar shumë të kujdesshëm në gjithçka, i kemi menduar me detaje dhe kështu erdhi kënga e re”, thanë dy këngëtarët.