Sean “Diddy” Combs do të qëndrojë më gjatë pas hekurave, pasi autoritetet amerikane kanë ndryshuar edhe një herë datën e lirimit të tij nga burgu.

Sipas të dhënave të publikuara nga Byroja Federale e Burgjeve në SHBA, reperi dhe producenti pritet të lirohet më 20 shkurt 2028. Më herët ishte raportuar se ai do të dilte nga burgu më 24 janar 2028, ndërsa data fillestare e parashikuar kishte qenë edhe më e vonshme.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë një shpjegim zyrtar për arsyet e këtij ndryshimi.

Sipas raportimeve, vendimi vjen pas një incidenti të ndodhur në burgun federal Fort Dix, në New Jersey, ku Combs u përfshi në një debat me një të burgosur tjetër. Situata më pas u përshkallëzua në një përplasje fizike, duke detyruar oficerët e burgut të ndërhynin për t’i ndarë.

Pas incidentit, Sean “Diddy” Combs u vendos përkohësisht në izolim. Burime pranë institucionit kanë bërë të ditur se ai ka bashkëpunuar me stafin dhe është sjellë në mënyrë korrekte si gjatë ngjarjes, ashtu edhe më pas.

Artisti amerikan po vuan një dënim me burg prej rreth katër vitesh, pasi në vitin 2025 u shpall fajtor për akuza që lidhen me organizimin e transportit për prostitucion.

Përveç dënimit me burg, gjykata i ka vendosur edhe një gjobë prej rreth 430 mijë eurosh, si dhe detyrimin për të ndjekur programe të trajtimit të shëndetit mendor dhe rehabilitimit për problemet e lidhura me abuzimin me substanca.

Megjithatë, Combs u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda, përfshirë trafikimin seksual dhe krimin e organizuar, vepra për të cilat rrezikonte edhe burgim të përjetshëm.