Autorja britanike Jane Fallon ka njoftuar se i është nënshtruar një operacioni pas diagnozës së papritur me kancer gjiri, duke ndarë me ndjekësit e saj detaje nga gjendja shëndetësore. Ajo kishte zbuluar më herët se ishte diagnostikuar në fazë të hershme, pavarësisht se nuk kishte asnjë simptomë, duke theksuar se sëmundja u zbulua falë një kontrolli rutinë.

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, Fallon ka bërë të ditur se ndihet mirë dhe në gjendje të qëndrueshme, ndërsa tashmë është rikthyer në shtëpi për t’u rikuperuar. Megjithatë, ajo thekson se do të duhet të presë edhe disa ditë për të marrë përgjigjen përfundimtare nga mjekët, e cila do të tregojë nëse ndërhyrja ka qenë plotësisht e suksesshme apo nëse nevojitet trajtim i mëtejshëm.

Sipas saj, periudha e pritjes do të zgjasë rreth 8 deri në 10 ditë, kohë gjatë së cilës do të përcaktohet nëse qelizat problematike janë hequr plotësisht. Fallon, e njohur për librat e saj dhe për lidhjen shumëvjeçare me komedianin Ricky Gervais, ka marrë mbështetje të madhe nga fansat, ndërsa ka theksuar se prognoza është shumë pozitive falë diagnostikimit të hershëm.