Avokati i R. Kellyt, ish-mbretit të muzikës R&B, ka paraqitur një kërkesë urgjente në gjykatë federale për ta liruar atë nga burgu dhe për ta vendosur në arrest shtëpiak, duke pretenduar se jeta e këngëtarit është në rrezik serioz. Sipas dokumenteve të paraqitura, tre zyrtarë të Agjencisë Federale të Burgjeve në SHBA (Bureau of Prisons) dyshohet se kanë kurdisur një plan për ta vrarë Kellyn përmes një të burgosuri tjetër. Në kërkesë përfshihet edhe një deklaratë e të burgosurit Mikeal Glenn Stine, i cili pretendon se gjatë kohës sa ndodhej në burgun federal në Tucson të Arizonës, tre zyrtarë të rangut të lartë të BOP-it i kishin kërkuar ta ekzekutonte këtë plan.

Stine, që pohon se ka qenë anëtar për shumë vite i Aryan Brotherhood, thotë se në një moment kishte edhe titullin e “komisionerit”, gjë që i jepte autoritetin për të urdhëruar rrahje, therje dhe madje edhe vrasje, të cilat realizoheshin nga anëtarë të tjerë të grupit. Më tej, ai pretendon se një zyrtar i BOP-it që më parë kishte urdhëruar sulme dhe vrasje ndaj të burgosurve i kishte bërë propozimin për ta eliminuar R. Kellyn. Pas këtij propozimi, Stine u transferua në burgun federal Butner në Karolinën e Veriut pikërisht aty ku po e vuan dënimin R. Kelly dhe përfundoi në të njëjtin repart me të.

Sipas tij, pasi përfundoi “detyrën”, zyrtarët i premtuan se do t’i jepej mundësia të arratisej nga burgu dhe të kalonte muajt e fundit të jetës si “njeri i lirë”, një ofertë që e kishte tunduar pasi në atë kohë, siç thotë, ishte diagnostikuar me kancer terminal. Në dokumentin ligjor, Stine deklaron se sapo mbërriti në FCI Butner, një nga zyrtarët i kishte thënë: “Duhet ta bësh atë për çka ke ardhur këtu”. Ai shton se pas javësh mbikëqyrjeje të R. Kellyt, kishte ndryshuar mendje papritur dhe kishte vendosur ta paralajmëronte këngëtarin për planin që ishte ngritur kundër tij, duke treguar se zyrtarët i kishin caktuar detyrën për ta vrarë.

Stine gjithashtu shpreh gatishmëri për t’iu nënshtruar një testi poligrafik për të dëshmuar vërtetësinë e deklaratave të tij dhe është i gatshëm të zbulojë emrat e të burgosurve që kanë qenë pjesë e dhunës apo vrasjeve ku ai vetë ka qenë i përfshirë ndër vite. Avokati i R. Kellyt shkruan se, pavarësisht së kaluarës kriminale të Stine, pretendimet e tij janë të rënda dhe kërkojnë “masa drastike” për ta mbrojtur jetën e klientit të tij. “Vazhdimi i mbajtjes së Kellyt në burg ndërsa ai e di se jeta e tij është në rrezik, përbën një ndëshkim mizor dhe të pazakontë”-ka deklaruar ai.

Avokati Beau Brindley i tha revistës People se klienti i tij ishte sulmuar edhe më parë brenda burgut dhe frika për një tjetër incident është shtuar akoma më shumë, për shkak të dyshimeve se autoritetet brenda burgut nuk janë të gatshme ta mbrojnë ose ndoshta as nuk duan ta mbrojnë fare. R. Kelly aktualisht po vuan një dënim prej 30 vjetësh, pas dënimeve për pornografi me të mitur, zhvatje dhe trafikim njerëzor me qëllime shfrytëzimi seksual.