Avokati kenian Dola Indidis, ish-zëdhënës i gjyqësorit në Kenia, ndërmori një nismë të pazakontë ligjore kundër Izraelit dhe Italisë, duke kërkuar shqyrtimin e përgjegjësisë për gjykimin dhe kryqëzimin e Jezu Krishtit.

Sipas Indidis, Jezusi iu nënshtrua një procesi të padrejtë, të shoqëruar me shkelje procedurale, abuzim me pushtetin dhe një dënim të paligjshëm. Në kërkesën e tij ai përfshiu edhe Ponc Pilatin, mbretin Herod dhe perandorin Tiber.

Çështja u paraqit fillimisht në Nairobi në vitin 2007, por u rrëzua. Më pas, avokati kërkoi shqyrtimin e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Megjithatë, kjo gjykatë nuk ka juridiksion për të shqyrtuar padi individuale të kësaj natyre, pasi trajton mosmarrëveshje ndërmjet shteteve.

Nisma ka rikthyer edhe diskutimet mbi përgjegjësinë historike për kryqëzimin e Jezusit, ndërsa organizata hebraike kanë paralajmëruar për rrezikun e ringjalljes së akuzave kolektive që historikisht kanë nxitur antisemitizmin.