Paniku përfshiu një restorant në Ohio të SHBA-së, pasi një 43-vjeçar nxori armën dhe tentoi të qëllonte ish-gruan e tij. Ngjarja ndodhi në prill të vitit 2025 në restorantin italian Sabira dhe u filmua nga kamerat e sigurisë, ndërsa pamjet janë publikuar së fundmi. Matthew Exton, një ish-avokat mbrojtës penal, ishte në një lokal pranë restorantit kur pa ish-gruan e tij duke darkuar me familjen. Sipas prokurorisë, ai fillimisht i dërgoi një pije dhe më pas e pështyu teksa ajo po largohej nga restoranti.

Pak më vonë, Exton u kthye në restorant dhe nxori një armë të mbushur. Në armë kishte një plumb në dhomën e fishekut dhe shtatë të tjerë në karikator. Kur 43-vjeçari tentoi të qëllonte ish-gruan, arma nuk funksionoi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Ai u përpoq sërish ta përdorte armën, por në atë moment ndërhyri kamerieri Tracy Cole Jr., i cili iu hodh sipër, e rrëzoi në tokë dhe e ndaloi.

Prokurorja e Qarkut Lucas, Julia Bates, deklaroi në gjykatë se stafi i restorantit nuk mund të ishte përgatitur për një situatë të tillë. Exton u shpall fajtor për tentativë vrasjeje dhe dy akuza për sulm të rënduar. Gjatë gjyqit, ai deklaroi se nuk kishte pasur qëllim të shtypte këmbëzën, duke pretenduar se e kishte drejtuar armën ndaj ish-gruas vetëm për ta detyruar atë të shiste shpejt shtëpinë e tyre. Pas incidentit, Exton humbi edhe licencën e avokatit. Në atë kohë ai ushtronte profesionin si avokat në Michigan.