Me një rrëfim tronditës dhe thellësisht prekës, Stelina ndau për herë të parë historinë e dhimbshme të jetës së saj, duke rikthyer një nga episodet më të errëta që ka përjetuar familja e saj.
Në një rrëfim që la pa fjalë banorët dhe teleshikuesit, ajo tregoi se si njeriu që duhej të ishte mbrojtja e tyre u shndërrua në “përbindëshin e jetës së tyre”, duke lënë pas trauma, plagë fizike dhe kujtime që do ta shoqërojnë përjetë.
“Po e nis me familjen time. 5 korrik 2000 është dita e lindjes sime. Një fëmijëri e mrekullueshme. Një nga ditët që isha duke luajtur jashtë, dëgjoj të bërtitura. Ngjitem lart dhe e gjej mamin duke paketuar rrobat. Kur kthehet, e shoh që ishte lënduar në fytyrë. Ai ka pasur një autobus që ishte parkuar shumë pranë shtëpisë. Qëndron aty derisa bie nata.
13 gusht 2009, duke u gdhirë kjo datë, jeta ime merr një kthesë tjetër. Çdo gjë ndodh për 15 minuta, që kanë qenë më të gjatat e jetës sime. Erdhi me vrap te dera e dhomës ku ndodhi e gjithë ngjarja, vendosi një levë te dera, e shtyu dhe hapi derën. Mami mori shumë plagë, duke përfshirë edhe një plagë në gojë. Pranë zemrës tentoi të kapte një thikë, duke çarë dorën. Për ta mbrojtur, ndërhyn motra që ishte vetëm 14 vjeçe. Plagoset në qafë, shumë pranë venave, dhe mami e tërheq babin, por ai vazhdon ta plagosë.
Motra çohet, merr hekurin dhe i bie në kokë babit, duke e lënë të shtrirë në tokë, ndërsa mami ngrihet, merr motrën dhe tentojnë të dalin jashtë. Unë rrija ulur në krevat dhe nuk jepja asnjë reagim. Të dyja lam me duart tona gjakun e mamit dhe motrës. Më tërheqin dhe dalim jashtë. Kur dalim jashtë, policia sapo kishte mbërritur. Shkojmë në spital për të parë mamin. Para se të dilja nga spitali, shoh në shtrat — tim atë, i cili ishte i lidhur me pranga.
Pas kësaj e prisnin hekurat. Ime më dhe motra kuptuan se unë nuk po flisja fare pas disa ditësh. I thonë mamit që vajza është traumatizuar dhe ndoshta nuk flet më. Mamit i thonin: ‘Ti nuk do t’i rritësh dot vajzat vetëm’. Të parat fjalë që thashë pas asaj që pësoja ishin: ‘Ata do ta dinë emrin tim, dhe ti do t’u thuash unë ia dola’.
Teksa plagët rridhnin gjak, ajo vendosi të punonte që mua dhe motrës sime të mos na mungojë gjë. Unë shkoj e takoj babin gjithsej dy herë dhe vendosa që s’do e takoja më kurrë babin tim. Në qershor të 2025 ka ndërruar jetë. Nuk e lëshuam asnjëherë dorën e njëra-tjetrës. Më vjen keq që im atë u kthye në përbindëshin e jetës sonë.
Në 2025 bëhem pjesë e një programi televiziv dhe nuk e dija si do të ndryshonte jeta ime.”
