Dizajnerja e njohur e modës Diane von Fürstenberg ka folur hapur për orientimin seksual të bashkëshortit të saj, Barry Diller, i cili në kujtimet e tij të reja “Who Knew”, të publikuara në mars të vitit 2025, pranoi se është homoseksual. Edhe pas këtij rrëfimi publik, Diane thekson se kjo nuk ka ndryshuar aspak marrëdhënien e tyre.
“Cila është diferenca?”, u shpreh ajo në një intervistë për Variety më 16 tetor. “Nuk e kuptoj. Por kjo nuk ndryshon asgjë. Më vjen keq, por është një pyetje e marrë”, tha ajo me qetësi. Dizajnerja 78-vjeçare, e cila është në lidhje me Diller që nga fundi i viteve ’70 dhe e martuar me të prej 24 vitesh, kujtoi gjithashtu edhe martesën e saj të parë me princin Egon von Fürstenberg, i cili gjithashtu kishte folur për biseksualitetin e tij pas ndarjes së tyre në vitin 1972.
“Jam martuar me dy burra gay, në rregull?” tha ajo me sinqeritet. “Nuk e di pse, por për mua ata nuk janë gay. Kjo nuk ndryshon asgjë për mënyrën si i shoh unë”. Diane theksoi se nuk e sheh mbështetjen e saj ndaj Barryt si diçka të jashtëzakonshme. “Njerëzit e shohin kështu, por për mua nuk është ashtu”, tha ajo. “Po, unë e nxisja ta shkruante librin, por për mua libri nuk ka të bëjë me këtë. Ai flet për jetën e tij”.
Ajo tregoi se Barry i ishte hapur që në fillim, shumë përpara se ta bënte publik rrëfimin e tij: “Unë isha personi i vetëm me të cilën ai ishte i hapur për 50 vjet. Pastaj, një ditë, ai vendosi ta shkruante librin”, rrëfeu Diane.
Ajo kujtoi edhe fillimet e lidhjes së tyre, duke thënë se nuk e kishte menduar kurrë se do të përfundonin si çift: “Në fillim mendova se do të ishim vetëm miq të mirë. Nuk e imagjinoja që do të bëhej diçka më shumë”, tha ajo.
“Por pastaj u kthye në pasion. Ai ishte shumë këmbëngulës. Ishte e pabesueshme”. Nga ana tjetër, Barry Diller ka treguar në kujtimet e tij se edhe për të kjo lidhje ishte një surprizë e madhe: “Nuk mund ta shpjegoj as për veten time, as për botën”, shkroi ai.