Fanny Neguesha, bashkëshortja e futbollistit të Galatasaray-t Mario Lemina, ka denoncuar një incident të ndodhur në një restorant të njohur në zonën Sarıyer të Stambollit. Sipas mediave turke, Neguesha kishte shkuar në lokal me një mike, kur pretendon se disa punonjës të stafit u sollën në mënyrë të vrazhdë dhe fyese ndaj saj.

Ajo reagoi publikisht duke thënë se sjellje të tilla ndaj klientëve janë të papranueshme dhe se askush nuk duhet të trajtohet ndryshe për shkak të pamjes apo prejardhjes.

Pas reagimit, drejtuesit e lokalit mësuan se ajo ishte bashkëshortja e Mario Leminës dhe tentuan t’i kërkonin falje përmes një ndërmjetësi, duke e ftuar atë dhe futbollistin të riktheheshin në restorant.

Por Neguesha e kritikoi edhe këtë veprim, duke e cilësuar si standard të dyfishtë. “Është e papranueshme t’i trajtosh njerëzit ndryshe. Tani që mësuan se jam bashkëshortja e një futbollisti, duan të rikthehem”, është shprehur ajo. Mario Lemina, Fanny Neguesha dhe dy fëmijët e tyre jetojnë prej një kohe në Stamboll, pas transferimit të futbollistit te Galatasaray.