Banorët kanë shkuar në dhomën e gjumit dhe fillojnë që të përgatiten për spektaklin. Gjatë kësaj kohe ata debatojnë me Ilirin për provën e javës. Iliri u kërkon falje dhe disa prej banorëve i dalin në krah. Kështu Jonilda, Olta dhe Marselini thonë se Iliri bëri një gabim dhe duke qenë se kërkoi falje, banorët nuk duhet të debatojnë më. Mirëpo ky është rasti që Anaidi shfrytëzon për të debatuar me të, pasi ka tentuar disa herë radhazi dhe Iliri nuk i ka dhënë shkak për debat.
Anaidi mundohet që të acarojë Ilirin duke përdorur edhe fjalë ofenduese, por Iliri ndër të tjera qesh dhe i thotë “ke ujë sa të duash që të ftohesh, mos u nxeh”. Anaidi i thotë “hajdut” për lekët që mori ai gjatë provës, ndërsa më pas i thotë “ti s’ke sedër sepse qëllimisht u hoqe bukën 13 vetëve”. Iliri ia kthen “ti se ke sedër, lave gjithë rrobat” duke i përmendur dënimin që Anaidi mori bashkë me Marselinin, për përdorimin e fjalëve banale në shtëpi.
Në debatin e tyre përfshihen edhe banorë të tjerë herë pas here, por Anaidi dhe Iliri nuk lënë radhë për të folur. “Ti maksimumi vjedh ndonjë dy mijë lekësh që të tjerët të debatojnë se s’di ç’të bësh më”. I thotë Anaidi Ilirit dhe më pas shton “ti s’ke ndërgjegje”. Iliri nis të flasë dhe Anaidi e ndërpret duke bërë që Iliri t’i thotë “unë prandaj nuk debatoj me ty sepse ti nuk di të dëgjosh”.
Debati i tyre zgjat për disa minuta me radhë dhe ata fillojnë të përsërisin të njëjtat shprehje që kanë përdorur edhe më parë në debatet e tyre.
30 mars 2013 (gazeta-Shqip.com)