Anaidi dhe Shpendi ndodhen në zonën e pishinës dhe të ulur në karrige, fillojnë të bisedojnë me nëjri-tjetrin për marrëdhënien me familjarët.
Shpendi tregon për marrëdhënien e keqe me të atin dhe për arsyen që e çoi deri në darken përfundimtare me të, madje edhe në largimin nga shtëpia. Ai thotë se është shumë krenar si natyrë dhe e ka pasur shumë të vështirë që ta falë.
Ndërsa Anaidi e këshillon që ai ta mendojë më gjatë dhe të mundohet ta falë të atin, pasi ai e ka hedhur hapin i pari dhe e ka shkruar letrën për të. Por Shpendi tregon se e ka menduar shumë gjatë dhe e pranon që një pjesë të mirë të fajit mund ta ketë ai vetë, por e ka shumë të vështirë të kërkojë falje, pasi edhe arsyeja për të cilën janë zënë ka qenë shumë e fortë, aq sa nuk mundet të hedhë një hap për të.
Anaidi mundohet sërish duke e këshilluar, ndërkohë që i tregon edhe histori të tijat me të atin. Ai thotë se nuk mban mend asnjëherë në jetë që të ketë pirë një kafè me të atin, por nuk mund ta gjykojë kurrë për këtë arsye, pasi ai sërish mbetet babai i tij. “Unë nuk kam folur për 1 vit e gjysmë”, tregon Anaidi, duke sqaruar se faji ka qenë i tiji, pasi e përjashtuan nga shkolla. Por ai thotë se është përpjekur vetë që ta përmirësojë raportin me të. “Kishim komunikim zero dhe mbante një qëndrim që nuk di si të ta them”, tregon Anaidi. Ndërkohë, vazhdon ta këshillojë dhe t’i tregojë rëndësinë që kanë prindërit në jetën e një njeriu, pasi ndryshe edhe nga motrat dhe vëllezërit, janë njerëzit e vetëm në botë që të duan pa interes, sipas Anaidit.
Ai mendon që Shpendi duhet të hedhë hapin e parë për të komunikuar me të dhe për të sqaruar gjithçka, pa vendosur në plan të parë krenarinë. “Brenda një shtëpie çdo gjë zgjidhet”, mendon Anaidi. “Nuk ka nevojë të bëhemi gazi i botës për situata familjare që mund t’i zgjidhim”, i thotë Anaidi.
Shpendi vazhdon të thotë se nuk është aq e lehtë që të zgjidhë një situatë të tillë, por veç kësaj ai sqaron se nuk mund të bëhet kurrë gazi i botës, megjithëse kjo gjë nuk i intereson nëse nuk arrin të gjejë qetësinë shpirtërore, sipas tij.
Megjithatë Shpendi sqaron se arsyeja se pse ka hyrë në Big Brother ka qenë pikërisht kjo dhe se do të mundohet që ta realizojë deri në fund, por gjithsesi sqaron se situata mes tyre është shumë e vështirë dhe jo kushdo mund ta kuptojë. “Kjo butësia ime po më shkatërron. Nuk po mund të përballoj më asgjë”, shprehet Shpendi, ndërsa tregon se vetëm njerëzit e tij të afërt mund të kuptojnë gjendjen në të cilën ndodhet. “Në këtë situatë duhet të kontribuojnë të gjithë”, shprehet Shpendi në fund dhe më pas të dy hyjnë brenda, duke e përfunduar bisedën.
23 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)