Të ndarë nëpër grupe, banorët janë shpërndarë në ambiente të ndryshme të shtëpisë, ku disa prej tyre janë duke biseduar, të tjerë duke bërë thashetheme dhe një pjesë tjetër duke luajtur me njëri-tjetrin.
Xhimi dhe Shpendi ndodhen në dhomën e gjumit, e ndërsa rrinë shtrirë në krevatet e tyre, fillojnë të flasin për Marselinin. Xhimi e pyet Shpendi nëse Marselini vazhdon të flejë në krevatin tij në dhomën e tyre të gjumit, por Shpendi i shpjegon se ai është shpërngulur në dhomën e vajzave. “Trekëndëshi i Bermudës”, shprehet Shpendi duke qeshur, ndërsa Xhimit nuk i pëlqen termi me të cilin Shpendi po i personifikon, pasi ata nuk janë të aftë të tërheqin pjesën tjetër të banorëve, sipas tij.
Më pas të dy djemtë mendojnë për natën e spektaklit të kësaj të shtune dhe për ngjarjet që mund të ndodhin gjatë saj.
Olseni, Anaidi, Jonilda dhe Joana dalin në kopsht për të pirë cigare dhe kafé e fillojnë të diskutojnë mbi dyshimet që mund t’i lindin për sekretin e radhës, duke u nisur nga prova javore e ditës së sotme. Olseni thotë se instruktorit që ka hyrë brenda për provën javore, i ka kaluar një detaj që nuk e ka vënë re, gjë që e ka bërë Olsenin të dyshojë. Ai nuk tregon më tepër se kaq, pasi mendon se është më e drejtë që loja të funksionojë pa ndihmë nga ai.
Më vonë banorët shkojnë në dhomën e gjumit dhe kalojnë kohën me shaka dhe batuta humori.
2 mars 2013 (gazeta-Shqip.com)