Bebe Rexha ka vendosur të flasë hapur dhe pa komplekse për jetën e saj sentimentale, duke zgjedhur një mënyrë jo të zakonshme për t’iu drejtuar fansave. Përmes një postimi në rrjetin social X (ish-Twitter), këngëtarja me famë botërore u kërkoi ndihmë ndjekësve të saj, të njohur si “Rexhars”, për të gjetur partnerin ideal.
Artistja ka ndarë publikisht një listë kriteresh që, sipas saj, duhet të plotësojë mashkulli që dëshiron të ketë në krah, duke habitur jo pak ndjekës me sinqeritetin e saj. Ndryshe nga pritshmëritë që shpesh lidhen me figurat publike, Bebe thekson se pamja perfekte nuk është prioritet.

Ajo shprehet se një partner që vlerësohet 6 apo 7 nga 10 për nga dukja është më se i mjaftueshëm, për aq kohë sa ka personalitet dhe vetëbesim.
Sa i përket gjatësisë, kërkesa e saj është e thjeshtë: të jetë mbi 173 centimetra, kryesisht që të jetë më i gjatë se ajo.
Një nga pikat që ka shkaktuar më shumë diskutime ka qenë qëndrimi i saj ndaj financave. Këngëtarja thekson se kërkon një partner të pavarur ekonomikisht dhe të suksesshëm, duke nënvizuar qartë se nuk dëshiron një marrëdhënie ku barra financiare bie mbi të.
Përtej aspektit fizik dhe atij material, Bebe Rexha vë theksin te karakteri dhe vlerat njerëzore.
Ajo kërkon një mashkull inteligjent, me moral, ambicioz, të motivuar dhe të vendosur për jetën, që di çfarë dëshiron dhe punon për ta arritur.
