Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, herë pas here reagon në rrjetet e saj sociale rreth thashethemeve që bëhen për të, apo edhe për komentet e shumta që bëhen në rrjet.
E kështu ka bërë edhe së fundmi, ky ylli i muzikës ka reaguar ashpër ndaj një video të bërë virale në “TikTok”, e cila sipas saj, përhap informacione të pavërteta mbi jetën e saj personale.
35-vjeçarja ka publikuar një video në profilin e saj në “TikTok” ku shprehet se ato çfarë janë thënë për të janë ‘thuajse tërësisht të rreme’.
Në videon që po qarkullon online, pretendohet se trupi i Bebe Rexhës ka ndryshuar ndjeshëm për shkak të problemeve me fertilitetin, dhe se gjithçka ka nisur pas incidentit ku ajo u godit me telefon gjatë një koncerti në Nju Jork.
Po ashtu, videoja përhap thashetheme për një lidhje romantike dhe abuzive me reperin G-Eazy.
E irrituar nga këto pretendime, këngëtarja e famshe reagoi publikisht duke theksuar:
“Pse ka kjo rëndësi? Nuk ka aspak. Lajmi i vërtetë është se unë kam punuar në muzikë gjatë dy viteve të fundit dhe jam shumë e emocionuar për projektet e reja që po vijnë”.
Artistja u ndal edhe te komentet që vazhdojnë të qarkullojnë mbi ndryshimet fizike të saj:
“Disa njerëz janë mbështetës, por disa janë obsesionuar me peshën dhe trupin tim, duke më krahasuar me veten time të njëzetave. Po, kam qenë masa 4, 6, 8 dhe tani jam masa 10-12. Dhe kjo është në rregull”.
Ndërsa sa i përket zërave për një lidhje me reperin e njohur, G-Eazy, Rexha i hodhi poshtë kategorikisht, duke thënë:
“Dhe për të qenë të qartë – nuk kam qenë kurrë në dashuri me G-Eazy. Kjo është një tjetër histori”.
Kujtojmë se dyshja kanë bashkëpunuar më parë në disa hite të suksesshme si “Me, Myself and I” dhe “F*ck Fake Friends”, të cilat u pritën mjaft mirë në nivel global, veçanërisht kënga e parë që ka mbi një miliard dëgjime në “Spotify”.
Megjithatë, marrëdhënia e tyre u përkeqësua në vitet e fundit, me Bebe që e ka akuzuar publikisht G-Eazyn për “mosmirënjohje”, duke e quajtur madje “një humbës me fat që njerëzit ende e duan”.
Me këtë reagim, Bebe Rexha jo vetëm që sqaroi të vërtetën, por edhe tregoi se vëmendjen po e përqendron te ajo që di të bëjë më mirë – muzika.