Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha, një nga zërat më të njohur në skenën ndërkombëtare të muzikës pop, ka ndarë me ndjekësit e saj një seri rrëfimesh të sinqerta në InstaStory, duke hedhur dritë mbi betejat e saj personale dhe profesionale.

“Kam menduar shumë kohët e fundit për rrugëtimin tim në muzikë. Dashuria ime më e madhe në jetë ka qenë gjithmonë të shkruaj këngë dhe t’i performoj ato. Por diku gjatë rrugës, gjithçka pushoi së qeni e thjeshtë”, shkruan Bebe, në një ton reflektues dhe emocional.

Artistja theksoi se për vite me radhë është ndjerë e lënë pas nga industria – jo për mungesë talenti, por për shkak të politikave të brendshme dhe padrejtësive që, sipas saj, shpesh përcaktojnë suksesin në këtë botë të vështirë. Ajo pranoi se në përpjekje për të ndjekur suksesin komercial dhe për të krijuar hite, kishte humbur lidhjen me veten dhe thelbin e pasionit të saj.

Këto rrëfime të ndjera vijnë ndërsa Bebe ndodhet në Evropë, ku po zhvillon një sërë koncertesh gjatë verës. Kjo fazë duket të jetë më shumë sesa një tur muzikor – është një rikthim i saj shpirtëror dhe artistik, një përpjekje për të gjetur sërish zërin e saj të vërtetë në një industri që shpesh kërkon kompromis.

“Po kthehem tek vetja. Tek muzika e ndershme, autentike dhe pa kompromis”, përfundoi ajo, duke i lënë fansat me mesazhin se ndershmëria dhe pasioni janë ende busulla që e udhëheqin.