Vitamina D3, e njohur si “vitamina e diellit”, prej kohësh është në qendër të interesimit të shkencëtarëve. Deri tani është lidhur kryesisht me shëndetin e kockave, sistemin imunitar dhe funksionimin e muskujve dhe nervave, por hulumtimet e reja tregojnë se roli i saj mund të jetë shumë më i rëndësishëm për shëndetin e zemrës. Ekspertët nga Intermountain Health në Salt Lake City kanë kryer një studim te personat që tashmë kanë kaluar një atak në zemër, me qëllim të vlerësimit nëse dozimi i personalizuar i vitaminës D3 mund ta ulë rrezikun e një infarkti të dytë. Ndryshe nga studimet e mëhershme, ku të gjithë pjesëmarrësit merrnin të njëjtën sasi, në këtë studim doza e D3 është individualizuar për secilin pjesëmarrës bazuar në analizat laboratorike.
Rreziku për një atak të dytë në zemër u ul për më shumë se 50% te ata që morën suplementim të synuar. Vitamina D3 ka role të shumta në organizëm. Ajo ndihmon në rregullimin e tensionit të gjakut, zvogëlon inflamacionin e enëve të gjakut dhe mbështet funksionin e shëndetshëm të muskulit të zemrës. Mungesa e vitaminës D lidhet me rrezik më të madh për aterosklerozë, hipertension dhe insuficiencë kardiake.
Ajo mund të merret përmes rrezeve të diellit, por edhe me ushqim, më së shumti gjendet te peshqit (salmoni, skumbria, toni), te vezët, qumështi dhe drithërat e pasuruara. Kur marrja natyrale nuk mjafton, mjeku mund të rekomandojë suplementim. Sipas rekomandimeve të Food and Nutrition Board, të rriturit deri në 70 vjeç duhet të marrin rreth 600 IU vitaminë D në ditë, ndërsa të moshuarit dhe ata me mungesë mund të kenë nevojë për dozë më të lartë.
Në studimin TARGET-D morën pjesë 630 pacientë me moshë mesatare 63 vjeç, të cilët brenda një muaji pas infarktit pranuan të testohen. Qysh në fillim, 87% e tyre kishin nivele të ulëta të vitaminës D në gjak (mesatarisht 27 ng/ml). Qëllimi ishte që nivelet të mbaheshin rreth vlerës optimale prej 40 ng/ml. Pothuajse 60% e pjesëmarrësve filluan me një dozë fillestare prej 5,000 IU në ditë, me monitorim të rregullt të analizave. Nëse niveli i vitaminës D3 binte, doza përshtatej.
Rezultatet ishin të qarta, shkalla e infarkteve të reja ishte 3.8% në grupin me vitaminë D3, krahasuar me 7.9% në grupin kontroll. Pra, numri i infarkteve të reja u përgjysmua. Dr. Cheng-Han Chen, kardiolog në Kaliforni, thekson se edhe pse lidhja mes vitaminës D dhe shëndetit të zemrës shpesh lidhet vetëm me korrelacion, “ky rezultat hap derën për një vlerësim shumë më serioz të suplementimit si qasje terapeutike.” Dr. Louis Malinow, endokrinolog, shton: Ky është studimi i parë që synon një nivel specifik të vitaminës D në gjak, në vend se të japë të njëjtën dozë për të gjithë. Kjo është dallimi kyç. Kur korrigjoni mungesën dhe ndiqni rezultatin, merrni efekte reale.”
Ai shton se vitamina D3 mund të ndihmojë në zvogëlimin e inflamacionit, përmirësimin e elasticitetit të enëve të gjakut dhe stabilizimin e tensionit, mekanizma që së bashku mbrojnë zemrën. Këto rezultate janë paraqitur në American Heart Association Scientific Sessions 2025, por ende nuk janë publikuar në një revistë shkencore të rishikuar nga kolegët. Megjithatë, janë planifikuar studime më të mëdha, të cilat do të përfshijnë edhe persona që nuk kanë kaluar infarkt, për të parë nëse D3 mund të jetë mbrojtje parandaluese për grupet me rrezik. Nëse studimet e ardhshme i konfirmojnë këto gjetje, vitamina D3 mund të bëhet pjesë standarde e terapisë pas infarktit, një mbështetje e thjeshtë, natyrale dhe e sigurt për zemrën.




