Miliarderi dhe themeluesi i Amazon-it, Jeff Bezos, u martua me Lauren Sanchez në një ceremoni madhështore në Venecia të premten. Aktorë, personazhë të famshëm, yje televizivë dhe shumë emra të njohur të Hollywood-it u ndoqën nga paparacët teksa udhëtonin me taksi uji drejt eventit tre-ditor.
Oprah Winfrey, Orlando Bloom, Kylie Jenner dhe Ivanka Trump ishin vetëm disa nga të famshmit që u panë në qytet për këtë dasmë plot yje. Festimet pritet të përfundojnë sonte me një festë të madhe, ku pritet të performojnë Lady Gaga dhe Elton John. E veshur me një fustan dantelle haute couture nga Dolce & Gabbana, i cili kërkoi 900 orë punë në atelie, Sanchez u tha fotografëve se është ndjerë si një princeshë.

Sanchez, 55 vjeçe, u pa më vonë duke buzëqeshur përkrah Bezos, i cili dukej i gëzuar pas ceremonisë, në një fotografi të publikuar në Instagram. Rreth 200 persona, 70 prej të cilëve ishin familjarë, ishin të ftuar në dasmë, megjithatë Sanchez i tha revistës Vogue se eventi ishte “jashtëzakonisht privat”. Ceremonia e së premtes u zhvillua në ishullin e vogël San Giorgio, ku sipas raportimeve këndoi Matteo Bocelli, djali i tenorit të njohur italian Andrea Bocelli.




Ndërsa kostoja e saktë e dasmës nuk dihet, vlerësimet shkojnë nga 20 milionë dollarë (14 milionë paund) deri në mbi 50 milionë dollarë. Ngjarja ka shkaktuar protesta nga grupe të ndryshme në Venecia, nga banorët e deri te aktivistët për ndryshimet klimatike. Kjo është martesa e dytë si për Lauren Sanchez, ashtu edhe për Jeff Bezos.
Çifti ka gjithsej shtatë fëmijë nga martesat dhe lidhjet e mëparshme. Ata u fejuan në maj 2023, në bordin e jahtit të tyre me vela, të quajtur Koru, një emër me origjinë Maori që simbolizon “jetën e re.” Në nëntor 2023, ata organizuan një festë fejese në Beverly Hills, ku morën pjesë emra të njohur si Oprah Winfrey, Salma Hayek Pinault, Barbra Streisand dhe Kris Jenner.












