I ftuar në emisionin “Ndryshe” me Elona Duro dhe Edea Demaliaj ka qenë Big Basta. Artisti është një nga emrat më të njohur të hip-hopit shqiptar. Ai nisi karrierën në fillim të viteve 2000 dhe u dallua për stilin e tij autentik, tekstet me mesazh dhe bashkëpunimet me artistë të njohur të skenës shqiptare.

Duke u kthyer pas në kohë, një nga pikat më të rëndësishme të karrierës së tij, por edhe industrisë muzikore, ka qenë festivali “Top Fest”. Teksa rikujtoi disa momente nga ajo periudhë, Big Basta shtoi:

Më vjen keq se gjithmonë m’u ka dukur një festival i sinqertë, i drejtë, pa hile. Kishte shumë çmime. Ajo e bënte më të dukshme faktin që ishte pa hile, që kishte shumë çmime.

Që në fillimin e tij, ai u vlerësua me çmimin “Best New Artist”. Teksa shikojmë situatën aktuale, si qëndron tregu këto kohë?

Mos harro që ne jemi bërë gjeneratë facoletash njëpërdorimëshe. Gjithçka e kemi njëpërdorimëshe. Nuk e di nëse ka mbetur ndonjë që mund të jetë tek-tuk, por si produktet e atëhershme, si “Top Fest” dhe rolin e madh që ka pasur “Top Albania Radio” dhe “Top Channel”. Pra, kënga të bëhej hit absolutisht. Veshi ‘t’u vriste’ vetëm me transmetimin e këngëve. Ndoshta sepse kanë qenë edhe kushtet atëherë të tilla sepse nuk ka pasur forma të tjera publikimi.

A ka të bëjë kjo me promovimin e mëparshëm që ju bëhej artistëve të rinj me këto çmime?

Shiko, nuk besoj ta kem thënë diku, por ajo kënga na kushtonte 250 mijë lek të vjetra. “Sweet Company” dhe Big Basta. Për inçizimin, master tek Edi Kraja, dhe ka qenë një shembull se si me pak, ti mund të bësh diçka shumë të mirë. Sot e kësaj dite përse kanë një aversion ndaj të rinjve, unë mendoj se artistët po implikohen në shumë fusha të tjera të jetës, qoftë edhe padrejtësisht. Kam përshtypjen se artistët kanë filluar të bëjnë karshillëk kundrejt publikun.