Ikona e stilit të jetesës Martha Stewart ka folur hapur për jetën e saj personale, duke zbuluar se çfarë kërkon tek një partner, edhe pse pranon se aktualisht nuk ka shumë kohë për takime. Në një intervistë të fundit, Stewart theksoi se aftësitë e saj në shtëpi dhe eksperienca e gjatë e bëjnë atë një partnere të shkëlqyer, por kur vjen puna te zgjedhja e një burri, ajo ka disa standarde të qarta.

Ajo u shpreh se pamja fizike nuk është domosdoshmërisht faktori kryesor, duke shtuar se nuk i intereson nëse një burrë është tullac apo jo, për sa kohë ka një paraqitje të rregullt, dhëmbë të bukur dhe një buzëqeshje tërheqëse. Për të, inteligjenca dhe sensi i humorit mbeten ndër cilësitë më të rëndësishme.

Megjithatë, Stewart nuk e fshehu se edhe aspekti financiar luan rol. Ajo pranoi me humor se pasuria është një bonus i madh, duke përmendur madje se një aeroplan privat apo një jaht do të ishin “shumë të mirëpritur”.

Pavarësisht këtyre preferencave, ajo konfirmoi se aktualisht është beqare, kryesisht për shkak të angazhimeve të shumta profesionale. Së fundmi, Stewart ka hapur restorantin e saj të dytë dhe po punon paralelisht në disa projekte të reja, duke e lënë pak hapësirë për jetën romantike.