Bota e kinemasë ka humbur një emër të njohur, pasi aktorja Valerie Perrine ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Parkinsonit. Lajmi u konfirmua nga një mik i saj i afërt, i cili bëri të ditur se ajo u nda nga jeta në mënyrë paqësore në shtëpi, e rrethuar nga familjarët.
Perrine kishte mbi 15 vite që jetonte me këtë sëmundje, ndërsa vitet e fundit ishte tërhequr nga jeta publike për shkak të gjendjes shëndetësore. Ajo u bë e famshme në vitet ’70 me rolin në filmin Lenny, për të cilin mori edhe një nominim për çmimin Oscar, duke u konsideruar një nga performancat më të spikatura të kohës.
Më vonë, ajo fitoi edhe më shumë popullaritet me rolin në filmat Superman, ku interpretoi përkrah emrave të mëdhenj të kinemasë. Karriera e saj përfshin një sërë filmash dhe projektesh televizive, duke e bërë një figurë të rëndësishme të kulturës pop të asaj periudhe.



