Bota e kinemasë dhe e serialeve fantastiko-shkencore ka humbur një nga figurat më të njohura. Aktori amerikan Walter Koenig, i famshëm për rolin e Pavel Chekov në serialin legjendar “Star Trek”, është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare. Lajmi i trishtë është konfirmuar nga menaxheri i tij. Aktori ndërroi jetë të dielën në Los Angeles.

Koenig iu bashkua “Star Trek” në vitin 1967, gjatë sezonit të dytë, duke interpretuar personazhin e marinarit rus Pavel Chekov deri në përfundimin e serialit në vitin 1969. Ai e riktheu këtë rol edhe në gjashtë filmat me kastin origjinal, të realizuar nga viti 1979 deri në vitin 1991.

Aktori u bë i njohur gjithashtu për interpretimin e Alfred Bester në serialin fantastiko-shkencor “Babylon 5”, gjatë viteve 1990. I lindur në Çikago, në një familje emigrantësh lituanezë, Koenig studioi aktrim në Nju Jork dhe ndërtoi një karrierë të gjatë në televizion e kinema.

Në vitin 2026, ai u vlerësua me çmimin Platinum për aktorin më të mirë në Independent Shorts Awards, për interpretimin në filmin e shkurtër “Mr Fleischmann”. Në jetën personale, Koenig ishte martuar me aktoren Judy Levitt në vitin 1965, e cila ndërroi jetë në vitin 2022. Ai la pas vajzën e tij, aktoren dhe skenaristen Danielle Koenig.