Legjenda e modës italiane, Giorgio Armani, është ndarë nga jeta sot në moshën 91-vjeçare. Stilisti i njohur ndërroi jetë i rrethuar nga familjarët dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë prej më shumë se dy dekadash, Leo Dell’Orco. Bëhet me dije se themeluesi i “Giorgio Armanit” vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.

Lajmi për vdekjen e ikonës së modës ka tronditur botën e artit dhe modës, sidomos për faktin se Armani punoi deri në ditët e fundit të jetës së tij. Vetëm disa ditë më parë, ai kishte finalizuar blerjen e lokalit legjendar “La Capannina”, një vend që kishte vlerë të veçantë për të, pasi aty, në vitet ’60, pati takimin e rëndësishëm me Sergio Galeotti, partnerin e tij në jetë dhe në biznes.

Në një nga veprimet e tij të fundit publike, Armani kishte përfunduar rishikimin dhe miratimin e koleksionit jubilar të 50-vjetorit, i cili pritet të prezantohet në Javën e Modës në Milano këtë shtator. Kjo tregon përkushtimin dhe pasionin e tij të palodhur ndaj modës, të cilin nuk e braktisi kurrë as në ditët e fundit të jetës.

Me një karrierë që përfshiu më shumë se pesë dekada, Giorgio Armani nuk ishte vetëm një stilist, por një revolucionar i estetikës moderne, duke ndikuar në mënyrën si vishen njerëzit në mbarë botën nga rrugët e qytetit deri te tapetet e kuq dhe zyrat e korporatave.

Trashëgimia e tij nuk do të matet vetëm në veshjet elegante, por në një vizion që i dha modës një kuptim të ri: thjeshtësi e rafinuar, elegancë pa përpjekje dhe forcë përmes finesës.