Legjenda e rock-ut dhe frontmeni i grupit ikonik Black Sabbath, Ozzy Osbourne, është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare. Lajmin e konfirmoi familja e tij, e cila kërkoi respekt për privatësinë në këtë moment të dhimbshëm. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik, megjithatë artisti kishte vite që vuante nga probleme serioze shëndetësore.
I njohur si “Princi i Errësirës”, Osbourne revolucionarizoi muzikën heavy metal me zërin e tij të veçantë dhe stilin e tij të guximshëm. Me këngë legjendare si “Iron Man” dhe “War Pigs”, ai shkroi historinë e rock-ut dhe frymëzoi gjenerata të tëra.
Pas largimit nga Black Sabbath për shkak të problemeve me alkoolin dhe drogën, ai e vazhdoi rrugëtimin muzikor si artist solo, duke sjellë albume të suksesshme si “Blizzard of Ozz” dhe “Ordinary Man”.
Ndër episodet më të famshme që e bënë edhe më ikonik ishte momenti kur gjatë një koncerti kafshoi kokën e një lakuriqi nate – një skenë që u kthye në pjesë të historisë së rock-ut.
Ozzy u bë i njohur edhe për publikun më të gjerë përmes reality show-t “The Osbournes”, që shfaqte jetën e tij familjare me Sharon dhe fëmijët e tyre, duke ofruar një portret të sinqertë e plot humor të jetës së një ylli rock.
Pavarësisht sfidave të shumta shëndetësore, përfshirë Parkinsonin dhe disa aksidente, më 5 korrik 2025 Osbourne u rikthye në skenë për një koncert lamtumire me Black Sabbath në Birmingham, duke dhuruar një performancë të paharrueshme.
Ozzy Osbourne la pas bashkëshorten Sharon dhe katër fëmijët e tij, si dhe një trashëgimi muzikore të pashlyeshme që do të frymëzojë breza të tërë.