Nga ritmi i vrullshëm i Las Vegasit në qetësinë e Carlofortes, një fshat me rreth 5 mijë banorë në ishullin San Pietro të Sardenjës. Kjo është zgjedhja që bëri amerikania Debra Coltune, e cila u transferua në Itali së bashku me dy fëmijët e saj, duke kërkuar një stil jetese më të shëndetshëm dhe një mjedis më të sigurt për rritjen e tyre.
Në mars të vitit 2024, Coltune njoftoi në rrjetet sociale se po planifikonte zhvendosjen në Sardenjë për arsye pune dhe kërkonte një banesë me qira përpara se të vendoste nëse do të blinte një pronë në ishull. Dy vjet më vonë, ajo thotë se nuk është penduar për vendimin.
Amerikania e përshkroi ndryshimin mes dy vendeve si një kontrast të madh. “Las Vegasi ishte një shpërthim dritash, energjie të pandërprerë dhe ritmi të vrullshëm. Sardenja është e qetë. Ishulli jeton me ritmin e tij, i rrethuar nga natyra dhe një atmosferë qetësie që ndihet në çdo aspekt të jetës së përditshme”, tha ajo.
Një nga arsyet kryesore të transferimit ishte dëshira për t’u ofruar dy fëmijëve të saj, 10 dhe 14 vjeç, një sistem arsimor publik që ajo e konsideron më të sigurt se ai në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, realiteti i jetës në ishull është më kompleks sesa përshtypja që krijojnë rrjetet sociale. Aktualisht, Coltune jeton në një vilë buzë detit me një qira mujore prej 2.500 eurosh, ndërsa kishte deklaruar se synonte të gjente një banesë me rreth 700 euro në muaj.
Ajo punon si organizatore eventesh, mes tyre edhe për festivalin e njohur “Girotonno”, si dhe si konsulente për biznese në sektorin e turizmit dhe restoranteve. Coltune pranoi gjithashtu se mundësia për të investuar në pasuri të paluajtshme në bregdetin sard ka qenë një tjetër faktor që ndikoi në vendimin për t’u zhvendosur në Itali, duke e konsideruar këtë më të favorshme sesa tregu imobiliar në Shtetet e Bashkuara.
Edhe pse e vlerëson cilësinë e jetës në Sardenjë, ajo u përball me vështirësi që në fillim për shkak të procedurave burokratike italiane, duke kërkuar ndihmë për dokumentacionin e emigracionit përmes komuniteteve në rrjetet sociale. Historia e saj është bërë jehonë në mediat ndërkombëtare si një shembull i njerëzve që zgjedhin “jetën e ngadaltë” në jug të Italisë, por artikulli thekson se ky rrëfim nuk pasqyron gjithmonë sfidat me të cilat përballen banorët e Sardenjës.
Rajoni njihet për bukuritë natyrore, por edhe për mungesën e shërbimeve, transportit dhe mundësive të punës, çka bën që shumë banorë të largohen ose të udhëtojnë vazhdimisht drejt pjesës kontinentale të Italisë. Sipas artikullit, përvoja e Debra Coltune është reale, por përfaqëson një situatë të veçantë, e ndikuar edhe nga mundësitë e saj ekonomike dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht realitetin me të cilin përballen shumica e banorëve të ishullit.



