Stefano Addeo, mësuesi italian që u bë i njohur pas një postimi kontrovers kundër vajzës së kryeministres italiane Giorgia Meloni, ka ndërruar jetë në një spital në Napoli në moshën 66-vjeçare. Sipas mediave italiane, ai humbi jetën si pasojë e një arresti kardiak ndërsa ndodhej në terapi intensive.
Addeo ishte shtruar në spital që prej 10 majit, pasi kishte tentuar vetëvrasjen duke u hedhur nga dritarja e banesës së tij në provincën e Napolit. Fillimisht ai ishte transportuar në spital në gjendje të vetëdijshme dhe jashtë rrezikut për jetën, por më vonë gjendja e tij u përkeqësua.
Emri i tij u bë i njohur në qershor të vitit 2025, kur publikoi në rrjetet sociale një mesazh ku uronte vdekjen e vajzës së kryeministres Meloni. Postimi shkaktoi reagime të forta në opinionin publik italian dhe çoi në pezullimin e tij nga detyra si mësues i gjuhës gjermane në një shkollë të mesme pranë Napolit.
Pas shpërthimit të skandalit, Addeo kishte kërkuar falje publikisht për mesazhin e publikuar, duke e cilësuar atë si një veprim impulsiv dhe të gabuar. Ai deklaroi se nuk duhej uruar kurrë vdekja e askujt, veçanërisht e një fëmije, por njëkohësisht theksoi se nuk kishte ndryshuar bindjet e tij politike. Autoritetet italiane kanë njoftuar organet e drejtësisë për vdekjen e tij, ndërsa trupi i është dorëzuar familjarëve.



