Një 48-vjeçar në Japoni është qortuar nga policia pasi la djalin e tij 7-vjeçar vetëm në malin Fuji, në një lartësi prej më shumë se 2 mijë metrash, për të vazhduar ngjitjen me djalin tjetër. Fëmija u gjet i ulur në një stol, në kushte me mjegull dhe shi, pranë stacionit të gjashtë të itinerarit që të çon drejt majës së malit. Me vete kishte vetëm një pije freskuese dhe një ushqim të lehtë. Sipas raportimeve, babai i kishte kërkuar të birit të “priste” pasi 7-vjeçari ishte ankuar se ishte i lodhur.

Më pas ai vazhdoi ngjitjen me djalin e madh. Punonjësit e një strehe në mal e gjetën fëmijën disa orë më vonë dhe njoftuan policinë. Në atë moment, babai ndodhej mes stacionit të shtatë dhe të tetë, rreth tri orë larg në këmbë nga vendi ku kishte lënë të birin.

Kur u kthye, policia e qortoi për vendimin. Fëmija kishte kaluar rreth tetë orë duke pritur dhe raportohet se ishte i lodhur dhe i bezdisur. “Edhe nëse kjo do të thotë të heqësh dorë nga ngjitja e malit së bashku, është e papranueshme të lësh një fëmijë pas”, i tha njëri prej policëve.