Ish-ylli i tenisit botëror, Maria Sharapova, ka vendosur të shesë shtëpinë e saj në Los Angeles për një çmim prej 21.8 milionë euro.
Lajmi është bërë i ditur nga ‘The Wall Street Journal’ dhe konfirmuar edhe nga ‘The Sun’, duke theksuar se vendimi lidhet me një zhvendosje të mundshme të Sharapovës drejt Evropës, ku pritet të fillojë një kapitull të ri së bashku me të fejuarin e saj, biznesmenin britanik Alexander Gilkes.
Shtëpia, që ndodhet në një nga zonat më të lakmuara të Los Angeles, është ndërtuar dhe dizajnuar sipas stilit japonez. Ajo përfshin mure betoni, një pishinë të madhe që ndodhet fare pranë ndërtesës, pistë bowling-u dhe pamje të mrekullueshme të Oqeanit Paqësor dhe ishullit Catalina.
Në katin e dytë ndodhet një ballkon me një panoramë të gjerë që shtrihet mbi gjithë qytetin e Los Angelesit.
38-vjeçarja e tregoi për herë të parë këtë rezidencë luksoze në vitin 2019 në një intervistë me “Architectural Digest”, ku u shpreh se kishte kërkuar që pishina të ishte sa më afër shtëpisë për të ruajtur një lidhje të drejtpërdrejtë vizuale me ujin që nga kuzhina.
Sharapova u bë një nga emrat më të mëdhenj në historinë e tenisit kur, në moshën vetëm 17-vjeçare, fitoi finalen e Wimbledonit në vitin 2004 kundër Serena Williams.
Ajo është e vetmja ruse që ka fituar të katër turnetë Grand Slam dhe mbetet fituesja e tretë më e re e Wimbledonit. Gjatë karrierës, u përball edhe me sfida të mëdha, si pezullimi për ‘doping’ në vitin 2016 për përdorimin e meldoniumit – një substancë që sapo ishte futur në listën e ndaluar.
Pas shumë vitesh me lëndime të vazhdueshme në shpatulla, Sharapova u tërhoq nga sporti në vitin 2020, duke i dhënë fund një karriere të lavdishme me një mesazh emocional ku i tha lamtumirë sportit të cilit i kishte kushtuar jetën e saj.
Në jetën personale, 38-vjeçarja ka qenë në një lidhje me Alexander Gilkes që nga viti 2018. Ata u fejuan në dhjetor të vitit 2020, kur Gilkes i dhuroi asaj një unazë diamanti me vlerë rreth 354 mijë euro.
Çifti mirëpriti fëmijën e tyre të parë në vitin 2022 dhe tashmë duket se janë gati të nisin një jetë të re larg Kalifornisë, me plane të reja në horizont.





