Ylli i muzikës pop do të përfitojë 15 milionë dollarë si anëtare e spektaklit ‘X Factor Usa’
Lufta midis artisteve të muzikës pop në SHBA është zyrtarisht e hapur. Kështu, e veshur me një fustan të bardhë, shumë të ngushtë që i nxirrte në pah format trupore dhe e kapardisur në majë të një palë takave shumë të larta, këngëtarja pop, Britney Spears ka mbërritur në studiot e ‘X Factor Usa’ për të konfirmuar pjesëmarrjen e saj dhe për të përmbyllur kontratën si anëtare e jurisë në këtë spektakël super të ndjekur dhe popullor në të gjithë botën, synimi i të cilit është të zbulojë dhe promovojë talente të reja në fushën e muzikës.
Shpërblimi që do të përfitojë ‘mbretëresha’ e dikurshme e muzikës pop mendohet të jetë 15 milionë dollarë, duke u bërë kështu pop-stari më i paguar ndonjëherë për pjesëmarrje në të tilla evente.
Rivalja e saj, Jennifer Lopez, e cila është anëtare jurie në spektaklin ‘American Idol’, shpërblehet “vetëm” 11 milionë dollarë, ndërsa shpërblimi i Christina Aguilera, si pjesëtare e jurisë në “The Voice” mbahet sekret. Tani duket se kemi të bëjmë me një stinë vërtetë të nxehtë, duke qenë se tri divat e muzikës pop do të masin forcat në ekranet amerikane, në tre spektakle secili me audiencën e vet dhe shumë popullorë në SHBA.
Por, sa i përket Brit, ajo duket se e ka fituar paraprakisht betejën me dy rivalet e tjera, pasi përveç faktit se ka arritur të lidhë një kontratë që i siguron asaj një supershpërblim financiar (shumë më tepër se dy pop-staret e tjera), ka arritur gjithashtu që të punësojë edhe menaxherin, dhe njëkohësisht të fejuarin e saj, Jason Trackwick si autor të spektaklit ‘X Factor Usa’… sa për të shtuar edhe më tej buxhetin e familjes.
15 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)