Emma Heming Willis ka uruar bashkëshortin e saj, Bruce Willis, me rastin e 71 vjetorit të lindjes më 19 mars. Ajo ka bërë një postim të ndjerë në profilin e saj në “Instagram”, ku njëkohësisht promovoi edhe fondin e ri bamirës që ka themeluar.
Në përshkrimin e fotos, ku aktori shfaqet i buzëqeshur dhe i qetë, Emma Heming shkroi: “Sot festojmë ditëlindjen e Bruce-it”.
Aktivistja dhe nëna e dy vajzave të tyre, Mabel (13 vjeç) dhe Evelyn (11 vjeç), e përdori këtë ditë për të promovuar fondin “Emma & Bruce Willis Fund”, i cili synon të rrisë ndërgjegjësimin për demencën frontotemporale, të mbështesë kërkimin shkencor dhe të ndihmojë kujdestarët.
“Ky rrugëtim me FTD më ka hapur sytë për realitetin me të cilin përballen shumë familje,” u shpreh ajo, duke shtuar: “Më frymëzoi të krijoj ‘Emma & Bruce Willis Fund’ për të rritur ndërgjegjësimin, për të mbështetur kërkimin dhe për të qëndruar pranë kujdestarëve që mbajnë një barrë kaq të madhe çdo ditë.”
Ajo gjithashtu inkurajoi fansat që ta nderojnë Bruce Willis në ditëlindjen e tij duke bërë një donacion në këtë fondacion ose në organizata të tjera që veprojnë në të njëjtën fushë, apo edhe përmes një gjesti të thjeshtë mbështetjeje ndaj një kujdestari.
Bruce Willis, i cili ka edhe tri vajza nga martesa e mëparshme me Demi Moore, Rumer (37 vjeç), Scout (34 vjeç) dhe Tallulah (32 vjeç), u diagnostikua me demencën frontotemporale në vitin 2022, në moshën 67-vjeçare.
