E ftuar në “Live From Tirana” pak javë më parë me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologia Besarta Taçi. Ajo ka folur më shumë mbi rritjen e dëshirës seksuale në verë, tabutë rreth seksit, por jo vetëm…
Pjesë nga intervista:
Në biseda kafenesh ne dëgjojmë shpesh meshkuj që dëshirat e ndryshme seksuale nuk do t’i bënin kurrë me bashkëshorten e tyre sepse është turp dhe për këtë arsyen zgjedhin t’i bëjnë me dikë tjetër…
Kjo është një fatkeqësi kulturore e jona, sepse mendja mashkullore ndan eksperiencat brenda mureve të shtëpisë dhe eksperiencat jashtë dhe nuk arrin dot të përputhë këtë imazh femëror. Pak temë kjo që vjen dhe nga gjenerata e mëparshme, ku mjafton të shikojmë gra në paramenopauzë dhe menopauzë, mjafton të shikojmë gjyshet tona, ku fillojnë atë prerjen klasike të flokëve që në moshën 45-50 vjeçare. Pra, prerja e flokëve shkurt, tregon një anulim të femërores, ku nga ai moment është shumë e vështirë që ato të jenë në kontakt me trupin e tyre, me veten e tyre. Madje nëse një grua, pas moshës 35 vjeç ishte shtatzënë, në kohën e gjysheve tona, ishte turp të shikonte e të konceptonte veten e saj shtatzënë sepse fëmija më i rritur përkonte pak me moshën e adoleshencës. Dhe këto janë ngërçet trebreznore që ne na janë trashëguar e që në realitet janë negative, nuk janë pro jetës, pro zhvillimit, pro vetes. Kështu që këto ngërçet vit pas viti, dekadë pas dekade, bëhen pjesë e trashëgimisë gjenetike tonë.