Një trend i pazakontë po fiton terren në Rusi, ku burra të ndryshëm po i nënshtrohen qëllimisht procedurave për të deformuar veshët, në mënyrë që të duken si luftëtarë të arteve marciale mikse (MMA). Bëhet fjalë për të ashtuquajturin “cauliflower ear” (veshi lulelakër), një deformim i përhershëm i veshit që zakonisht lidhet me traumat fizike në sportet e kontaktit si boksi, MMA, mundja apo regbia.
Gjendja krijohet kur pjesa e jashtme e veshit pëson goditje ose presion të fortë, duke shkaktuar grumbullim gjaku ose lëngjesh rreth kërcit të veshit. Në të kaluarën konsiderohej një pasojë e padëshiruar dhe estetikisht e pakëndshme, por tashmë duket se po shndërrohet në simbol force dhe frike për disa burra në Rusi.
Sipas kanalit rus në Telegram, Baza, një numër në rritje burrash po paguajnë për procedura që u japin veshëve këtë pamje karakteristike, me qëllim që të duken më frikësues në sytë e të tjerëve. Fenomeni raportohet të jetë më i përhapur në rajonet jugore të Rusisë, por kërkesa po rritet edhe në pjesë të tjera të vendit.
Një person që pretendon se ofron këtë shërbim ka deklaruar se kërkesa është aq e lartë, sa rezervimet janë të mbushura për një muaj përpara. Ai tarifon rreth 6 mijë rubla (afërsisht 80 dollarë) për secilin vesh, ndërsa klientët që kërkojnë një efekt më të theksuar duhet t’i nënshtrohen disa seancave.
Ekspertët paralajmërojnë se procedurat e kryera nga persona të pakualifikuar mund të sjellin pasoja serioze për shëndetin, përfshirë humbjen e dëgjimit, inflamacion të kërcit të veshit dhe infeksione që mund të komplikohen në hematoma.



