Një histori e pazakontë ka ndodhur në qytetin e vogël Carsoli, Itali. Një burrë kishte vendosur t’i bënte një surprizë bashkëshortes së tij duke i dhuruar një biletë “gratta e vinci”, pa e ditur se ajo do të rezultonte fituese e një shume të madhe parash.

Gruaja, pasi ka gërvishtur biletën, ka zbuluar se kishte fituar plot 500 mijë euro. Në vend që ta ndante këtë lajm me bashkëshortin e saj, ajo është larguar menjëherë, duke marrë me vete biletën fituese dhe duke ndërprerë çdo kontakt. Burri, i cili fillimisht nuk ishte në dijeni të asaj që kishte ndodhur, më vonë ka kuptuar gjithçka dhe ka mbetur i tronditur nga situata.

Sipas raportimeve, ai ka tentuar ta ndalojë pagesën e fitimit duke iu drejtuar autoriteteve dhe kompanisë që menaxhon lojërat e fatit, me shpresën se do të mund të kërkonte një pjesë të shumës, duke qenë se bileta ishte blerë prej tij. Rasti ka ngritur diskutime ligjore në Itali, pasi lind pyetja se kujt i përket realisht fitimi; personit që e ka blerë biletën apo atij që e ka në dorë dhe e paraqet për tërheqje.