Gjykata e Assizes në Milano ka dënuar me burgim të përjetshëm Pablo Gonzalez Rivas, i akuzuar për vrasjen me paramendim dhe rrethana rënduese të partneres së tij, Jhoanna Nataly Quintanilla Valle, si dhe për fshehjen e kufomës. Vendimi u prit me duartrokitje nga shoqet e viktimës, të pranishme në sallën e gjyqit.

40-vjeçarja, e cila punonte si kujdestare fëmijësh, u vra në natën mes 25 dhe 26 janarit në një apartament në zonën Bicocca të Milanos. Partneri i saj, 50 vjeç, ndodhet në burg që prej shkurtit të vitit të kaluar.

Pas vrasjes, trupi i viktimës u vendos në një valixhe dhe u hodh në lumin Adda. Gonzalez Rivas raportoi zhdukjen e partneres vetëm shtatë ditë pas vdekjes së saj. Kufoma u gjet më 2 mars, në zonën e komunës Zelo Buon Persico, në provincën e Lodit, më shumë se një muaj pas ngjarjes.

Gjatë gjithë procesit gjyqësor, i pandehuri ka mohuar se e ka vrarë qëllimisht partneren, duke pretenduar se ajo kishte vdekur gjatë një loje erotike. Megjithatë, nga autopsia rezultoi se viktima dyshohet se fillimisht ishte dhunuar fizikisht dhe më pas ishte mbytur.

Hetimet, përfshirë analizimin e bisedave në telefon, zbuluan gjithashtu se Gonzalez Rivas kishte një lidhje paralele. Ai kishte blerë një biletë për të sjellë të dashurën tjetër nga El Salvadori, me qëllim që ajo të jetonte në të njëjtën banesë ku jetonte me Natalyn. Sipas hetimeve, viktima e kishte zbuluar këtë marrëdhënie.

Vendimi i gjykatës solli emocione të forta te shoqet e Jhoanna Nataly Quintanilla Valle, të cilat shpërthyen në lot pas shpalljes së dënimit. “Është një emocion i madh. Edhe pse ky vendim nuk na e kthen atë, drejtësia u bë. Ajo nuk e meritonte këtë”, u shpreh Maira, një nga shoqet e viktimës.

Mes lotësh, ajo shtoi se Nataly do të ishte krenare për to, duke pranuar se ndoshta mund të kishin qëndruar më pranë saj. “Ne nuk dinim asgjë. Ai doli krejt ndryshe nga njeriu që njihnim”, tha ajo. Edhe Daniely, një tjetër shoqe e viktimës, shprehu lehtësimin pas vendimit të gjykatës.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtura. Tani ajo mund të pushojë në paqe dhe ai të paguajë për atë që ka bërë, sepse askush, aq më pak ajo që ishte kaq e mirë, nuk e meriton të vdesë në këtë mënyrë”, u shpreh ajo.

Shoqet më të afërta të Natalyt ishin të gjitha të pranishme në sallën e gjyqit. Pas leximit të vendimit, ato shpërthyen në lot dhe duartrokitën. Disa prej tyre mbërritën në Gjykatën e Milanos me pankarta ku shkruhej: “Stop femicidit”.