Pas suksesit të madh të kukullave Labubu, moda e vitit 2026 ka një fenomen të ri që po pushton rrjetet sociale, dyqanet online dhe garderobat e të rinjve kudo në botë. Emrin e ka Mirumi, një lodër e vogël e butë që vendoset tek çanta dhe që shumë shpejt mund të bëhet aksesor i pandashëm i stilit personal.
Mirumi është krijuar nga një kompani japoneze, e specializuar në pajisje të lehta robotike dhe dallon nga kukullat e tjera falë një veçorie, se nuk është thjesht për zbukurim. Me një sensor të vogël, Mirumi reagon ndaj prekjeve apo zërit, duke lëvizur kokën si të ishte një krijesë e gjallë.
Pamja e tij është po aq interesante sa funksioni: një përzierje e ëmbël mes një pellushi të butë e një karakteri fantastiko-shkencor, i cili duket sikur vjen nga një film vizatimor.
Popullariteti i Mirumi-t nisi menjëherë pasi u prezantua në një panair teknologjie në Las Vegas të SHBA-ve, aty, ku bëri për vete influencerët dhe pasionantët e modës.
TikTok dhe Instagram shpërthyen me video ku përdoruesit e lëviznin për të parë reagimin, ndërsa të tjerë e shfaqnin si aksesorin e radhës, që i jep personalitet çdo çante.
Ajo që e bën Mirumi-n tërhoqës është fakti se kombinon modën me argëtimin, duke u kthyer në një “mik të vogël” që shpreh humor dhe bën lojë.
Mirumi do të jetë fillimisht i disponueshëm në internet, me prodhim të kufizuar dhe në ngjyra pastel shumë të buta si rozë, gri e bezhë. Shitja pritet të nisë gjatë këtij viti, me një çmim rreth 100 euro.
Duke qenë se sasia është e vogël, pritet të shitet shpejt dhe të ketë të njëjtin fat si trendet virale të fundit: të shndërrohet në objekt koleksioni e të rikrijojë fenomenin “Bleje tani ose ke humbur”./TAR
